Rama: Shqipëria në NATO, me një pozicion shumë të përforcuar
BKT
Lajme

Rama: Shqipëria në NATO, me një pozicion shumë të përforcuar

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se pozicioni i Shqipërisë në NATO është një pozicion shumë i përforcuar”.

Në një intervistë televizive, Rama tha se “jo rastësisht, ne jemi një vend ku po investohet në mënyrë të konsiderueshme për infrastrukturën ushtarake të NATO-s”.

“Kemi ndërtimin e bazës së NATO-s, ndërsa jemi një vend ku është vendosur Komanda Operacionale e forcave të SHBA-së në Evropë. Kështu që për të gjitha këto arsye, ne shikojmë dhe dëgjojmë me shumë më tepër vëmendje se më parë. Më vjen shumë mirë që me qëndrimin tonë në raport me krizën në Afganistan, ne kemi fituar jashtëzakonisht shumë respekt në sytë e gjithë bashkësisë ndërkombëtare”, tha Rama.

Duke folur për luftën në Ukrainë, Rama tha se “e vërteta është që Vladimir Putini praktikisht e ka unifikuar Evropën në shumë pak ditë, duke e rikthyer në kohët më të arta të komunitetit të saj, të paktën siç dëshmojnë të gjithë ata që e njohin mirë historinë e Evropës, jo vetëm nga librat por nga eksperiencat e tyre”.

I pyetur mbi vizitën në Ukrainë kur Shqipëria mbante drejtimin e OSBE-së, Rama tha se “faktikisht ishte një situatë absolutisht e tensionuar”.

“Ne kemi shkuar në zonën e konfliktit, aty ku ndahen 2 anët dhe ku fillon zona e atyre që të ashtuquajturave 2 Republika të saponjohura nga Putini dhe faktikisht ishte një situatë si në ato filmat e Hollivudit pas apokalipsit, situatë absolutisht sureale, me ndryshimin që nuk ishte film”, tha Rama.

I pyetur mbi takimin me Ministrin e Jashtëm të Rusisë, Lavrov në cilësinë e kryetarit t OSBE-së, Rama tha se “jam takuar me të, kemi pasur bisedë të gjatë dhe faktikisht, jo vetëm në atë bisedë por në të gjitha bisedat e bëra në atë kohë ka qenë e qartë se Rusia ka pasur një pezmatim të madh në raport me Ukrainën”.

“Atë që e quanin sjellja e perëndimit, marrëveshja e Minskut, një sërë pretendimesh sipas tyre të paadresuara nga perëndimi dhe sipas tyre  të panegociueshme në raport me ata vetë. Nuk mund të them kurrë që e kam ndjerë këtë që erdhi, sepse përveç shërbimit inteligjent amerikan, askush tjetër nuk kishte realisht bindjen që Putini do të tentonte një agresion frontal dhe pushtim të Ukrainës”, tha Rama.

Kryeministri u shpreh se “Shqipëria sot gjendet në kulmin e politikës së vetë të jashtme për shkak të një pozicioni të jashtëzakonshëm në tryezën më të lartë të politikës globale, në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara”.

“Jo vetëm kaq, por gjendet në një pozicion të jashtëzakonshëm dhe për faktin që SHBA kanë kërkuar nga Shqipëria që të bëhet bashkëpenëmbajtëse e dosjes së Ukrainës. Rezoluta e miratuar me një shumicë shumë të rrallë në raste të kësaj natyre, kur ka një konflikt të këtyre përmasave, në Asamble, ishte një rezolutë e iniciuar nga SHBA dhe Shqipëria”, tha Rama./atsh


MË SHUME NGA Lajme