Hoferer: Këshilli i Evropës ta pranojë Republikën e Kosovës
BKT
Lajme

Hoferer: Këshilli i Evropës ta pranojë Republikën e Kosovës

Kryetari i Rinisë Paneuropiane (Paneuropa-Jugend Deutschland), Christian Hoferer, i ka bërë thirrje Këshillit të Evropës të pranojë sa më shpejt Republikën e Kosovës. "Ishte vendimi i drejtë suspendimi i Rusisë nga Këshilli i Evropës si pasojë e luftës dhe sulmit kundër Ukrainës në kundërshtim me të Drejtën Ndërkombëtare”, tha Hoferer për Radio Kosovë.

“Kosova është një demokraci e re, e cila ka nënshkruar Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe respekton ligjet e Gjykatës Evropiane të Drejtësisë”, theksoi Hoferer teksa shtoi se “tani duhet gjithashtu të dërgohet sinjali i duhur për të treguar se Këshilli i Evropës edhe më tej është dhe mbetet një institucion relevant dhe i rëndësishëm, i cili angazhohet  për të drejtat e njeriut dhe demokracinë në Evropë”, tha Hoferer.

"Në dritën e zhvillimeve ushtarake në Ukrainë, tani është shumë e rëndësishme, të dërgohen sinjale dhe të bëhet plotësisht e qartë se nuk do të lejohen luftëra në Ballkan dhe për më tepër të sinjalizohet në mënyrë të qartë dhe të prerë se nuk do të lejohen me as një kusht ndryshim kufijve, aq më pak me dhunë", ka theksuar tutje Hoferer.  

“Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës, prandaj do të ishte hapi i duhur”, nënvizoi për Radio Kosovë, Kryetari i Rinisë Paneuropiane ( Paneuropa-Jugend Deutschland), Christian Hoferer./Fadil Gashi


MË SHUME NGA Lajme