Kryeministri Kurti takon ambasadoren e Luksemburgut në Kosovë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti takoi sot ambasadoren e Luksemburgut në Kosovë, Natacha Gomes. Në takim u bisedua për synimet për përforcimin e partneritetit midis Kosovës dhe Luksemburgut.
Në njoftimin për media thuhet se, kryeministri shprehu mirënjohjen e Qeverisë për përkrahjen e dhënë në vazhdimësi nga shteti i Luksemburgut, i cili ishte prej të parëve që përkrahu pavarësinë e shtetit tonë.
“Ai vlerësoi partneritetin afatgjatë dhe shprehu vullnetin e Qeverisë për t’i forcuar më tej lidhjet dhe për të vazhduar bashkëpunimin e frytshëm. Në këtë takim, kryeministri Kurti e njoftoi ambasadoren për të arriturat e vitit të parë të mandatit qeverisës, veçanërisht menaxhimin e pandemisë”, thuhet në njoftim.
Tutje, në njoftim bëhet e ditur se ambasadorja Gomes ritheksoi përkushtimin e shtetit të Luksemburgut për bashkëpunim dhe përkrahje, në përmbushjen e synimeve të Qeverisë së Republikës së Kosovës, veçanërisht në fushat strategjike të bashkëpunimit.























