Gashi: Kuvendi e votoi Gjykatën Speciale pa raportin e Wiliamsonit
BKT
Lajme

Gashi: Kuvendi e votoi Gjykatën Speciale pa raportin e Wiliamsonit

Ligjvënësit kosovarë kishin votuar ‘symbyllazi’ për themelimin e Gjykatës Speciale. Kështu thotë për emisionin “Udhëve” avokati Tomë Gashi, sipas të cilit, dëshmitë e siguruara nga ai, tregojnë se deputetët nuk e kishin në dorë një dokument të domosdoshëm para se të votojnë.

Alban Selimi (RTK)

Ligji për dhomat e specializuara në nenin 1, garanton procedurat penale të sigurta, të pavarura, të paanshme, të drejta dhe efikase në lidhje me pretendimet për krime të rënda ndërkufitare dhe ndërkombëtare të kryera gjatë konfliktit në Kosovë dhe pas tij dhe të cilat kanë qenë objekt i hetimeve penale të kryera nga Task Forca Hetimore Speciale (“TFHS”) e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (“PSRK”).

Por, avokati Tomë Gashi ka thënë për emisionin “Udhëve” në RTK se deputetët asnjëherë nuk e kanë pasur në dorë këtë raport, për të ditur se mbi bazën e çfarë të gjeturash themelohet Gjykata Speciale, raporton emisioni hulumtues Udhëve në RTK.

“Nga Ismet Krasniqi, sekretar i Kuvendit kam marrë një përgjigje ku konstaton se raporti i prokurorit Wiliamson nuk e kanë tani por nuk e kanë pasur as kur është votuar Gjykata speciale”, thotë avokati Tomë Gashi.

Kjo është arsyeja që ai ka ofruar edhe shpërblime për secilin deputet që do të mund t’ia ofronte raportin e prokurorit amerikan John Clint Wiliamson.

“Një raport që ne e dimë që është diku 50 faqe nuk e ka pasur asnjë deputet i Kuvendit të Kosovës, as institucioni i Kuvendit të Kosovës as qeveria e as prokuroria e as organet tjera, që do të duhej ta kishin por kryesorët janë ata 82 deputetë, që përmendësh kanë votuar Ligjin për Gjykatën Speciale, pa e ditur që John Clint Wiliamson, e ka demantuar raportin famëkeq, të qëllimshëm të Dik Martit, për t’na dëmtuar ne shqiptarëve, gjithë kombin”, thotë avokati Gashi, raporton emisioni hulumtues Udhëve në RTK.  

Në korrik të vitit 2014 prokurori amerikan John Clint Wiliamson ishte deklaruar se pas hetimeve 3 vjeçare nuk ishte gjetur asgjë nga pretendimet për trafikim organesh në shtëpinë e verdhë.  

Por, për Ehat Miftarajn nga Instituti Kosovar për Drejtësi, do të ishte paradoksale nëse 120 deputetët e Kuvendit të Kosovës do të kishin në dorë raportin hetimor të Task Forcës Hetimore Speciale të Prokurorisë Speciale te Republikës së Kosovës (PSRK), pasi kjo do të paraqiste ndërhyrje direkte në të dhënat e hetimeve të bëra nga kjo task forcë.


MË SHUME NGA Lajme