Me nga 40 nxënës në një klasë, vështirësohet procesi mësimor
Mbingarkesa e shkollave me nxënës sikurse në disa shkolla të Fushë Kosovës, është shndërruar në problem. Zyrtarët përkatës paralajmërojnë ndërtimin edhe të një shkolle tjetër, ndërkohë që mësimdhënësit janë në vështirësi pasi me 40 nxënës në një klasë, është e vështirë mbajtja e procesit mësimor.
Zhvillimin e njësisë mësimore e bën më atraktiv dhe më lehtë të kuptueshëm kur ka interaktivitet mes arsimtares dhe nxënësve. Por, për shkak të numrit të madh që ka një klasë, shpesh nuk mund të bëhet kjo.
“M’ka rënë shumë shpesh të pyetem dhe nuk kam pasur mundësi të jap një përgjigje, pastaj jam ndjerë pak i lënë anash, sepse e dija atë përgjigje shumë mirë”, thotë Andi Behrami, nxënës.
“Ka zhurmë shumë në klasë, edhe kemi shumë problem t’i marrim informatat nga arsimtari ose arsimtarja, edhe mënyra e mësimit është shumë më e vështirësuar”, tha Dëbora Fazliu, nxënëse.
Mbingarkesa e klasave me mbi 40 nxënës po e vështirëson procesin mësimor në shkollën fillore Mihal Grameno në Fushë Kosovë. “Sigurisht që minutazhi i cili është i përcaktuar për secilin nxënës është shumë i kufizuar, një nxënës i cili ka nevojë të shprehë mendimin e tij, për shkak të numrit të madh të nxënësve, shpeshherë i cenohet e drejta dhe kjo është pengesë mandej në vlerësim”, u shpreh Bukurije Krasniqi arsimtare në Mihail Grameno.
Zgjidhje për shkollën më të ngarkuar në Fushë Kosovë, paralajmëron drejtori i Arsimit në këtë komunë.
“Në plan komuna e Fushë Kosovës ka që brenda këtij viti të filloj të procedurat për ndërtimin edhe të një shkolle tjetër në zonë urbane që do të shkarkonte tutje numrin e nxënësve në 'Mihail Grameno' dhe përgjatë dy tri viteve të ardhshme parashihet që të ndërtohet edhe një tjetër e fundit dhe mendojmë se kemi vlerësuar se kështu përfundimisht zgjidhet problemi i hapësirave në klasë dhe zvogëlohet numri i nxënësve në klasat tona”, ka thënë Samir Shahini, drejtor i arsimit Fushë Kosovë.
Ndërtim të objekteve të reja shkollore ka premtuar edhe ministrja e Arsimit.
“Si ministri do të marrim përsipër dhe jemi të gatshëm të mbështesim Komunën e Prishtinës, por edhe komunat tjera ku ka vështirësi, numër të madh të nxënësve në ndërtimin e shkollave të reja por mbetet në kompetencë të komunave të gjejnë hapësirat ekzistuese”, tha Arbërie Nagavci, ministre e Arsimit.
Sipas qeverisjes lokale e qendrore, lëvizja e familjeve nga fshatrat në zona urbane ka ngarkuar shkollat nëpër qytete./RTK/























