Osmani: Kërkojmë përgjegjësi për krimet e diktatorit Putin
Lajme

Osmani: Kërkojmë përgjegjësi për krimet e diktatorit Putin

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i është bashkuar protestës solidarizuese me popullin e Ukrainës, i cili po përballet me agresionin nga Rusia.

Para gazetarëve, presidentja ka thënë se në këto momente iu kanë bashkuar botës demokratike, jo vetëm për ta dënuar agresionin rus mbi Ukrainën por edhe për të kërkuar përgjegjësi për krimet qe po i kryen, siç e ka quajtur ajo, krimineli i luftës diktatori Putin.

“Natyrisht që ajo çfarë po përjeton populli i Ukrainës në këto momente na rikthen kujtimet e plagëve të rënda që janë shkaktuar mbi secilin qytetar të Kosovës gjatë viteve të 90-ta nga regjimi gjenocidial i Serbisë. Prandaj edhe jemi bashkuar botës demokratike jo vetëm për ta dënuar agresionin rus mbi Ukrainën por edhe për të kërkuar përgjegjësi për krimet qe po i kryen krimineli i luftës diktatori Putin”.

Osmani tha se beson që është e bindur që do të triumfojë liria dhe demokracia. E rëndësishme është se zëri i tyre po dëgjohet në çdo kënd të botës.

“Institucionet tona kanë treguar gatishmëri që të gjitha ato kapacitete që i kemi dhe që kanë ndërtuar në ndërkohë për pritjen e refugjatëve nga Ukraina t'i shfrytëzojmë. Kosova ka treguar gatishmëri për t'i dhënë mbështetje dhe mikpritje edhe gazetarëve nga Ukraina në mënyrë që ata jo vetëm të vendosen në Kosovë por edhe të vazhdojnë ta kryejnë punën e tyre nga një vend të sigurtë”, tha presidentja.