Kurti: Të mos kemi procese zyrtare në parlament dhe qeveri pa gra
Në debatin parlamentar lidhur me pabarazinë gjinore të grave, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se nuk duhet të ketë procese zyrtare në Kuvend dhe Qeveri pa gratë dhe sipas tij ato duhet të konsultohen për çdo vendim që merret.
Ndër të tjera, Kurti ka thënë se duhet nxitur kultura dhe durimi tek burrat.
Kurti: Duhet të nxisim një kulturë durimi tek burrat
“Duhet ta nxisim një kulturë të durimit tek burrat, të mos reagojmë njëherë e sidomos të mos paragjykojmë me bazë gjinie. Ne duhet ta dekurajojmë imponimin e dominimin edhe aty ku nuk është në formën e vetme të dukshme. Duhet të sigurohemi që a po sfidohet një profesioniste apo një grua, a po diskriminohet një nxënëse apo një vajzë. E treta, jo vetëm thjesht përfshirje e grave e inkuadrim i grave, por pjesëmarrje e tyre sepse përfshirja, inkuadrimi nënkupton kontributin e grave, kurse pjesëmarrja nënkupton edhe fitimin edhe përftimin që e kanë gratë”, ka thënë Kurti.
Kryeministri ka thënë se nevojitet emancipim i burrave sa i përket barazisë.
Kurti: T’u flasim pak më shumë burrave se çka është barazia
“Ne duhet të pranojmë kritikën, duhet t’i përcjellim analizat e organizatave të grave dhe kujtdo që na drejtohet me sugjerime për pjesëmarrje të grave. E dyta është emancipimi shoqëror me theks të emancipimit të burrave sepse shpeshherë kur themi emancipimi mendojmë t’i emancipojmë gratë, por vetëm emancipimi nënkupton që besa t’u flasim pak më shumë burrave sesa grave se çka është barazia edhe pse po ngjanë dhe nuk duhet të ngjajë diskriminimi. Pra, emancipim shoqëror që në spikamë ka vetëdijesimin dhe edukimin e burrave. Pra, emancipimi shoqëror është i nevojshëm por emancipimi dhe edukimi i burrave më së shumti e më së shpejti”, ka thënë Kurti.
Kurti ka thënë se edhe për çdo vendim që nuk është në duart e grave, duhet patjetër konsultimi me to.
Kurti: Duhet të sigurohemi që të mos kemi procese zyrtare në parlament dhe qeveri pa gra
“Ne duhet të sigurohemi të nderuar deputetë që të mos kemi procese zyrtare as në parlament as në qeveri pa gra, për çdo vendim që merret nëse nuk është në duar të grave me patjetër duhet të konsultohen ato. Nuk ka tema që nuk i prekin jetët e grave por ka tema të mëdha që prekin vetëm jetët e grave andaj le t’i dëgjojmë ato të gjithë ne së bashku më shumë”, ka thënë Kurti.























