"Strategjia ruse ushqen atë serbe për kontroll në Kosovë, BeH e Mal të Zi"
BKT
Lajme

"Strategjia ruse ushqen atë serbe për kontroll në Kosovë, BeH e Mal të Zi"

Elis Vllasi, ligjërues për Sigurinë Ndërkombëtare në Universitetin “Simon Fraser” në Kanada, në një intervistë për Radio Kosovën tha se Rusia dhe Serbia në aspektin ushtarak janë shtete aleate.

Intervistoi: Mejreme Tahirukaj

Sipas tij, gjatë viteve të 90-ta luftërat në ish Jugosllavi kanë ushqyer strategjinë ruse për okupim dhe kontroll të territoreve pro ruse në ish republikat Sovjetike. Ndërkaq, tani strategjia ruse është duke ushqyer strategjinë serbe se si t’i kthejnë territoret e banuara me shumicë serbe, në Bosnje e Hercegovinë, Kosovë dhe Mal të Zi.

Radio Kosova: Z. Vllasi , si ligjërues i çështjeve të Sigurisë në Universitetin prestigjioz  “Simon Frizer”, si e shihni ndikimin rus në Ballkan, duke pasur parasysh  invadimin ushtarak rus në Ukrainë?

Elis Vllasi: Gjatë viteve të 90-ta luftërat e Serbisë nëpër ish-Jugosllavi kanë ushqyer strategjinë ruse për okupim dhe kontrollin e territoreve pro ruse në ish-Bashkimin Sovjetik. Ndërsa tash, shohim se strategjia ruse e viteve të fundit, 2014 në Ukrainë dhe 2008 në Gjeorgji, ushqen strategjinë serbe se si ta kthejë ndikimin, kontrollin apo prezencën e territoreve të banuara me shumicë serbe në Kosovë Bosnje Hercegovinë dhe Mal të Zi.

RADIO KOSOVA: Çka mendoni për trysninë e Bashkësisë Ndërkombëtare dhe ultimatumet kundrejt Rusisë në rastin e Ukrainës. Ky presion, a pritet ta detyrojë Rusinë që të tërhiqet nga rajonet e okupuara?

Elis Vllasi: E, për sa i përket ultimatumeve të Bashkësisë Ndërkombëtare, e shohim se në Ukrainë nuk kanë kryer punë. Ultimatumet kanë qenë edhe para pushtimit të ri dhe se ultimatumet nuk e kanë ndalur invadimin rus. Ndërkaq për sa i përket Kosovës, nuk kam njohuri se a ka pasur ndonjë ultimatum të Bashkimit Evropian ndaj Serbisë që të mos hidhet në ndonjë “aventurë” në Kosovë. Në Ukrainë nga ana e Bashkimit Evropian e shohim një politikë të përmbushjes së dëshirës. Kështu që, për sa i përket BE nuk jam optimist as për Ukrainë, pasi ka dështuar politika e ultimatumeve para invadimit. Ndoshta Bashkësia Evropiane në të ardhmen e ngrit nivelin e trysnisë ndaj Rusisë dhe mund të shohim lëvizje pozitive.

RADIO KOSOVA: Por për sa i përket relacionit të Serbisë me Kosovën, a pritet që të shtohet trysnia e BE-së ndaj palëve në bisedime. Nga ajo që kemi parë deri tani, presioni më i madh bie ndaj palës që  konsiderohet më e dobët, që në këtë rast është Kosova?

Elis Vllasi:  Për sa i përket Serbisë dhe relacionit me Kosovën deri tash nuk kam hasur në ndonjë ultimatum të BE-ës ndaj Serbisë. I frikësohem  se ndoshta në njëfarë mënyre BE mund të rrisë trysnin ndaj Qeverisë së Kosovës për të lëshuar pe, për shkak që BE të mos i ketë dy kriza. Ma merr mendja se tash Serbia mund të përdorë luftën në Ukrainë si mjet trysnie ndaj BE-s - “në qoftë se nuk lejoni krijimin e Bashkësisë së Komunave Serbe, ne atëherë ndihemi të nxitur të intervenojmë që të mbrojmë popullin serb në Kosovë.” Pra, kemi të bëjmë më të njëjtën strategji sikurse ajo ruse të cilën e ka përdorur në Ukrainë. E BE për t’i ikur edhe një krize në Ballkan, fatkeqësisht, mund të shohë të arsyeshme se duhet të rritet trysnia ndaj Kosovës si një palë më e dobët në relacion me Serbinë.

RADIO KOSOVA: A mendoni se tashmë është krijuar  momentumi  i volitshëm pas zhvillimeve në Ukrainë që Kosova të kërkojë anëtarësim në BE dhe NATO ?

Elis Vllasi: Po ma merr mendja se disa lëvizje pozitive janë bërë, se Kosova ditëve të fundit ka insistuar më shumë që është mirë që Kosova të anëtarësohet në NATO. Po që se udhëheqësit evropianë, shtetet anëtare të  NATO-s e shohin të arsyeshme dhe duhet ta kenë parasysh këtë se me anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe BE atëherë pushon kërcënimi ndaj Kosovës. Me anëtarësimin e Kosovës në NATO edhe qeveria e ka një hapësirë politike që të gjejë zgjidhje rreth Bashkësisë së Komunave Serbe.

RADIO KOSOVA: Autoritetet e Kosovës kanë deklaruar se Asociacioni do të themelohet në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, por pas arritjes së një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse me njohje të ndërsjellë me Serbinë? Çka mendoni ju a do të gjendet ndonjë zgjidhje e pranueshme dhe a mendoni se ka transparencë në dialogun Kosovë-Serbinë?

Elis Vllasi: Çdo qeveri e Kosovës që nga viti 2008, kur u shpall pavarësia e vendit, nuk ka qenë transparente në dialogun me Serbinë. Por atë që kam vërejtur është se nuk janë vetëm institucionet e Kosovës prej 2008 e deri tani që janë munduar ta mjegullojnë dialogun, edhe Bashkimi Evropian  në njëfarë mënyre ka insistuar që sa më shumë të bëhet njëfarë mjegulle, që të ketë nga të dyja palët ndoshta edhe nga të tria palët në dialog Republika e Kosovës, Republika e Serbisë dhe BE të kenë interpretimin e vet se si duhet të duket ky lloj asociacioni apo bashkësie,  dhe kjo është e bërë me qëllim. Fatkeqësisht në Ballkan, në ish Jugosllavi ka nevojë jo vetëm për transparencë por duhet ta dinë të gjitha palët dhe të jenë në të njëjtat frekuenca. Sepse të gjitha luftërat në ish Jugosllavi kanë ndodhur si pasojë e asaj se secila palë ka menduar se diëka është në favor të saj e pala tjetër ka menduar se po e njëjta i shkon në favor asaj. Kur nuk është përputhur leximi i kontekstit, atëherë ka ardhur deri të konflikti. E shohim se Bashkësia Evropiane e ka bërë qëllimshëm, prandaj edhe në dokumentet e Marrëveshjes së Brukselit shihet në një anë Asociacioni për t’i përmbushur dëshirat e kosovarëve e në anën tjetër, Community of Serbian Municipalities apo Zajednica Srpskih Opstina, do të thotë Bashkësi që e ka një përmbajtje më të avancuar si ajo që thuhet në gjuhën shqipe që kuptohet si Asociacion. Kështu që mungesa e transparencës fatkeqësisht është e çdo qeverie të Kosovës dhe tash duhet të përballet. Si duket është BE është ajo që insiston që të dyja palët, si ajo serbe dhe ajo kosovare, të jenë sa më pak transparente dhe mos të lejojnë që asnjëra palë të jetë e eksponuar ndaj trysnive brenda shteteve gjegjëse apo edhe opozitës politike.

RADIO KOSOVA: Është evidente se kohën e fundit diskursi politik ndërmjet subjekteve politike në Kosovë është ashpërsuar, çka mendoni ju, a e dobëson kjo pozicionin e Kosovës?

Elis Vllasi: Kjo kohë është kohë kur Qeveria e Kosovës si dhe populli i Kosovës duhet të mendojnë se pari për shtetin e Kosovës  e pastaj politikat partiake. Sepse Kosovës i kanoset një rrezik edhe më i madh se sa ishte para shpërthimit të luftës në Ukrainë. Planet gati të njëjta që Rusia i ka pasur për Ukrainën, po ashtu i ka Serbia për Kosovën. E shohim se në të kaluarën nga ana e Rusisë është folur për botën ruse, viteve të fundit në Serbi flitet me të njëjtën gjuhë bota serbe apo në serbisht që e kanë përdorur srpski svijet. Po ashtu qeveria ruse që nga viti 2008 gjithmonë e përmendin se shteti rus do të intervenojë në çdo shtet ku populli rus është i rrezikuar. Po e shohim po ashtu këto ditë, përkatësisht këta muajt e fundit se edhe qeveria serbe e ka përdorur të njejtën gjuhë “se shteti i Serbisë do të intervenojë po që se populli serb në Kosovë apo Bosnje e Hercegovinë është i rrezikuar”. Në Donabas pas vitit 2014 Bashkësia Ndërkombëtare e specifikisht BE ka insistuar që Ukraina të bëjë lëshime që të krijohet njëfarë lloj autonomie në regjionin Donbas, ku tashti janë të ashtuquajturat Republika Popullore e Doneckit dhe Luhansk e po ashtu e shohim një insistim të tillë të BE-ës që e është e domosdoshme krijimi i Bashkësisë, jo asociacioni por bashkësia serbe që kompetencat e asociacionit të jenë ashtu siç i kërkon Serbia e jo ashtu siç e meriton. Fatkeqësisht këto strategji të Rusisë edhe të Serbisë janë të njëjta dhe nuk është për t’u çuditur në qoftë se Serbia inskenon ndonjë skenar ku populli serb në Kosovë i është eksponuar rreziku nga shqiptarët dhe të bëjë një intervenim. Tash do të shohim se sa do të ketë trysni nga ana e BE për Serbinë që të mos hyjë në ndonjë aventurë. Shpresoj që sidomos shtetet e NATO-s në mungesë të anëtarësimit të Kosovës të sjellin trupa plotësuese në Kosovë dhe t’i pozicionojnë posaçërisht në komunat veriore./S.K/RTKlive

 

 

 

 

 

 

 

 

 


MË SHUME NGA Lajme