Shala: Prioritet qeveritar është parandalimi e adresimi i dhunës në familje
BKT
Lajme

Shala: Prioritet qeveritar është parandalimi e adresimi i dhunës në familje

Dhuna ndaj grave ka qenë në përmasa shqetësuese në vitet e pasluftës. Për këtë dhunë ka pasur reagim të ngathtë institucional dhe kjo është kritikuar në vazhdimësi, pasi nuk është reaguar në momentin e duhur dhe pastaj ka ndodhur më e keqja. Tash duket se ka një strategji konkrete kundër dhunës ndaj grave, që është miratuar edhe në Qeveri por duhet punë e madhe nga mekanizmat përkatëse për ta zbatuar atë në praktikë.

Zv.ministrja e Drejtësisë, Nita Shala në RTK tha se prioritet qeveritar është  parandalimi dhe adresimi i dhunës në familje, dhunës ndaj grave dhe asaj në baza gjinore.

Shala po ashtu thotë se gjatë pandemisë numri i rasteve të raportuara për dhunë në familje ka pasur rritje të theksuar, por shqetesuese  mbesin rastet e dhunës të cilat nuk raportohen.

"Është e rëndësishme ta riktheksojmë që tashmë e kemi prioritet qeveritar si parandalimin ashtu edhe adresimin e dhunës në familje, dhunës ndaj grave dhe asaj në baza gjinore. Për fat të keq kemi raste më të shpeshta të dhunës ndaj grave në kohën e pandemisë. Statistikat na tregojnë një gjë të tillë. Është fatkeqësi globale por me të cilën është përballur edhe shoqëria jonë. Në qoftë se i shikojmë statistikat të cilat i kanë institucionet, atëherë del se raportimet në polici për dhunën në familje kanë pasur një rritje të theksuar në krahasim me vitet e kaluara. Por, duhet të kemi parasysh që një numër shumë i lartë i rasteve kalon edhe pa u raportuar. Studimet tregojnë që numri i rasteve të paraportuara është mjaft i lartë dhe kjo është dyfish më shqetësuese në krahasim me informacionet për të cilat i kemi. Kjo sepse rastet e raportuara na përballin me një realitet që duhet t'i përgjigjemi në mënyrë që në shoqërinë tonë të gjejmë një mekanizëm dhe të rrisim vetëdijësimin e përgjithshëm kundër dhunës", tha zv.ministrja Shala.

Ministria e Drejtësisë pikërisht për rastet që kalojnë pa u raportuar ka pasur një fushatë sensibilizuese 'Mos duro' për vetëdijësimin e përgjithshëm të shoqërisë për të nxitur sa më shumë raportime.

"Në tetor dhe nëntor të vitit të kaluar për gjatë 16 ditëve të aktivizmit kundër dhunës, Ministria e Drejtësisë vijoji fushatën 'Mos duro'. Ideja e gjithë fushatës sensibilizuese ishtë që të ngrisë vetëdijësimin e përgjithshëm për të mbajtur një qëndrim kundër dhunës. Kjo do të thotë se gjithsecili nga ne në raste kur shohim dhunë, jo vetëm brenda familjes sonë por edhe në lagje, punë apo shkollë duhet ta raportojmë atë. Pra, duhet t'i raportojmë rastet edhe kur nuk jemi të përshirë në to", tha Shala./P.Gashi/


MË SHUME NGA Lajme