Sarrazin: Gjermania mbështet anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës
BKT
Lajme

Sarrazin: Gjermania mbështet anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës

I ngarkuar i Qeverisë gjermane për vendet e Ballkanit Perëndimor, Manuel Sarrazin, vlerëson se Qeveria gjermane do të përkrahë kërkesën e Republikës së Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Në një intervistë për gazetën konservative “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, i pyetur nëse Gjermania do të mbështesë kërkesën e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, tani kur ekziston shumica e dy të tretave pas suspendimit të Rusisë nga kjo organizatë, Sarrazin ka theksuar se nuk ka fare dyshim për mbështetjen e Gjermanisë ndaj Kosovës:  

“Gjermania e ka njohur Kosovën. Gjithsesi, ne angazhohemi që një shtet i njohur nga ne, të jetë anëtar i organizatave ndërkombëtare. Aq më tepër, si në organizatat e tilla siç është Këshilli i Evropës, që angazhohen për rritjen e standardit për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të qytetarëve, përfshirë edhe ato të minoriteteve në Kosovë. Se kur është momenti i duhur për të shtruar kërkesën për anëtarësim në Këshillin e Evropës, këtë duhet ta vlerësojë vetë Qeveria kosovare”, ka nënvizuar Sarrazin.

Duke u përgjigjur në pyetjen lidhur me detyrën që Qeveria gjermane ia ka besuar dhe nëse Berlini ka frikë se Rusia mund të hapë dhe një luftë në Ballkan, Sarrazin, theksoi se “krijimi i këtij posti është një shenjë e Qeverisë gjermane se politika e zgjerimit dhe bashkëpunimit me shtetet e Ballkanit Perëndimor mbetet një nga prioritetet e politikës së jashtme gjermane viteve të ardhshme”.

 Sipas tij, “ky post ka qenë më herët i planifikuar dhe nuk ka të bëjë me luftën në Ukrainë, që filloi ditë më parë. Pavarësisht ngjarjeve në Ukrainë, Qeveria gjermane ka për qëllim t’i kushtojë vëmendje të madhe Ballkanit Perëndimor”.

Sarrazin ka folur edhe për refuzimin e Serbisë që t’i vendosë sanksione Rusisë, teksa ka theksuar se Presidenti i Serbisë së shpejti do ta kuptojë se opsioni rus nuk është atraktiv:

“Është  shumë me rëndësi që këto ditë ta bëjmë të qartë mesazhin tonë. Do të ishte me rëndësi nëse Bashkimi Evropian nënvizon vendosmërinë e tij se shtetet e Ballkanit Perëndimor, të ardhme e tyre e kanë vetëm në BE. Të gjithë duhet ta kenë të qartë këto ditë, se në këto kohë të vështira nuk është mirë të jesh i pavendosur. Ma thotë mendja se edhe presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq, po e sheh se opsioni rus nuk është atraktiv. Është në interesin e Serbisë, të marrë një opozicion të qartë. Ukraina është shembulli më i mirë se çfarë mund të ndodhë kur u beson fjalëve të Rusisë dhe besoj, se tashmë në Beograd të gjithë e kanë të qartë këtë.  Për Bashkimin Evropian është shumë me rëndësi të formulojmë në mënyrë të qartë se çfarë presim nga  Serbia”.

Sarrazin në intervistën për FAZ ka folur edhe për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor:

 “Unë besoj në procesin e integrimit dhe anëtarësimit të shteteve të Ballkanit Perëndimor në BE në të ardhmen. Tani duhet që të përshpejtojmë procedurat, në mënyrë që shënojmë përparim në këtë proces. Detyra ime është të tregojmë se Gjermania do të shtojë angazhimin e saj për të mbështetur këtë proces. Është tejet e rëndësishme që Bashkimi Evropian t’i përmbahet qëllimit për një proces anëtarësimi të plotë të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE, sepse në këtë rast nuk bëhet fjalë thjesht për një integrim ekonomik por para së gjithash për anëtarësim në BE si një bashkësi vlerash. Perspektiva e anëtarësimit në BE është mjeti më i fuqishëm që kemi në dorë në rajon për të përcjellë procesin paqësor të reformave në këto vende dhe këtë mjet nuk duhet ta lëshojmë nga dora”, ka theksuar Sarrazin./Fadil Gashi, Radio Kosova/


MË SHUME NGA Lajme