Presidentja: Rugova ishte kontribues i shumë proceseve politike të vendit
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka ngushëlluar familjen e ish-kryetarit të komunës së Istogut, Haki Rugova.
Përmes një telegram ngushëllimi, presidentja thotë se Rugova ishte aktivist politik i hershëm dhe kontribues në shumë procese politike në vend.
“Me dhimbje të thellë pranova lajmin për ikjen e hershme të z. Haki Rugova, ish-kryetar i komunës së Istogut në disa mandate, aktivist politik i hershëm dhe kontribues në shumë procese politike në vend”, thuhet në telegramin e Presidentes Osmani.
Presidentja ka shkruar se Rugova ka lënë pas një veprimtari të bujshme politike.
“Ai la pas një veprimtari të bujshme politike, të njeriut të angazhuar aktivisht që nga vitet e 90-ta. Ju përcjell ngushëllimet e mia më të sinqerta familjes, miqve e bashkëveprimtarëve! Në këto çaste të vështira për ju, bashkëndjej me Familjen Rugova! I përhershëm qoftë kujtimi për z.Haki Rugova!”, përfundon telegrami i Presidentes Osmani.























