Mulaj thotë se çmimet e naftës në Kosovë nuk janë realiste
Në Kosovë sot çmimi i naftës ka shkuar prej 1.63 cent deri në 1.68 cent, në varësi prej pompave të derivateve që funksionojnë tek ne. Në Maqedoni të Veriut çmimi i naftës ka shkuar deri në 1.42 cent . Shqipëria prinë si më e shtrenjta në rajon, pasi edhe atje sot çmimet janë ngritur përsëri dhe ato aktualisht janë 2 euro e 14 cent, ndërsa në Serbi një litër naftë është 1.61 cent.
Njohësi i çështjeve ekonomke dhe ish-minstri i Tregtisë, Ismet Mulaj thotë për RTK-në se rritja e çmimeve të derivateve në Kosovë është shumë e shpejtë.
Mulaj i bëri thirrje Ministrisë së Industrisë dhe Tregtisë që ta ketë një monitorim të rreptë edhe lidhur me çmimet por edhe lidhur me cilësinë e naftës për shkak se konsumatorët përballen me këto pasoja.
"Kur kemi kriza botërore prodhuesit e mëdhenj shfrytëzojnë këto raste për të manipuluar me çmime, për t'i rritur ato për të krijuar sa më shumë përfitime. Po ashtu edhe afaristët vendas i shfrytëzojnë këto raste me qëllim që t'i rrisin çmimet shpejt e më shpejt. Kriza globale krijon një lloj frike por nuk është frikë e cila derivon për të rritur çmimet për shkak se pavarësisht ngritjes së çmimeve në berzë, Kosova ka pasur rezerva. Do të thotë secili importues ka rezervat e veta dhe rritja e çmimeve të derivateve ish dashur të jetë shumë graduale. Kjo rritje e ditëve të fundit në Kosovë është shumë e shpejtë. Unë i bëj thirrje Ministrisë së Industrisë dhe Tregtisë që ta ketë një monitorim të rreptë edhe lidhur me çmimet por edhe lidhur me cilësinë e naftës për shkak se konsumatorët përballen me këto pasoja", tha ai.
Sipas njohësit të çështjeve ekonomike këto çmime në Kosovë nuk janë realiste dhe se Qeveria duhet të gjejë pikat e përbashkëta me bizneset sa u përket çmimeve, në mënyrë që ato të jenë sa më të arsyeshme për qytetarët.
"Edhe pse ekziston lufta në Ukrainë çmimet nuk janë realiste. Tregu global nuk i ka zvogëluar sasitë prodhuese por janë po ato sasi. Vetëm frika se ky konflikt mund të përhapet edhe në vendet tjera i bënë shtetet dhe afaristët që të ulin stokun e vet me qëllim që ta shesin në rastet kur rriten çmimet. Ky është një lloj manipulimi. Prodhuesit e mëdhenj e kanë këtë komoditet por Kosova është vend i varfër, duhet me emergjencë që Qeveria të komunikojë me biznese që merren me këtë fushë me qëllim që të gjejnë pikat e përbashkëta në mënyrë që të kemi një çmim sa më të arsyeshëm për qytetarët tanë", tha Mulaj./P.Gashi/























