Abdixhiku kërkon nga Qeveria të veprojë kundër ngritjes së çmimeve
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, e ka kritikuar Qeverinë pasi vendi ynë është përfshirë nga rritja e çmimeve.
Nëpërmjet një postimi në Facebook, kreu i LKD-së ka thënë se shtetet e rajonit tashmë po marrin vendimet, të cilat javë më parë partia e tij ia kishte rekomanduar qeverisë.
“Përderisa Qeveria jonë kalon edhe një mbledhje si vëzhguese e krizave ekonomike që kanë tronditur vendin tonë e një botë të tërë, shtetet e rajonit po marrin vendime që me javë të tëra i kemi rekomanduar në Kosovë. Maqedonia e Veriut pak orë më parë, uli TVSH-në në naftë e në derivate nga 18%, në 10%. Uli dhe akcizën për to. Dhe nuk u ndal me kaq, reduktoi në 0% të gjitha tatimet – e brendshme e doganore pa dallim – në të gjitha produktet bazike ushqimore. E bëri me qëllim që përballja e qytetarëve atje të jetë sa më e lehtë. Hapa të tillë po marrin shtetet një nga një; por shteti ynë megjithatë vështron”, ka shkruar Abdixhiku.
Ai i ka kërkuar kryeministrit Kurti që të veprojë, pasi çdo vonesë sipas tij do të ndikojë në çmime.
“Kryeministër vepro. Jemi në krizë të përballueshmërisë! Janë masa të logjikshme këto; të përkohshme dhe pa ndonjë rrezik buxhetor. Nuk ka rëndësi nga kush vijnë e kush i propozon, rëndësi kanë të implementohen ato. Çdo ditë vonesë e Qeverisë tuaj me mosreagim është çmim ekonomik i pakthyeshëm për gjithë vendin tonë”, ka shkruar tutje lideri i LDK-së.























