Luzha: Vendet e rajonit ishin më vigjilente ndaj krizës ekonomike
BKT
Lajme

Luzha: Vendet e rajonit ishin më vigjilente ndaj krizës ekonomike

Besa Luzha nga Fondacioni gjerman “Friedrich Ebert Stiftung” ka thënë se vendet e rajonit kanë qenë më vigjilente në veprimet e tyre në krahasim me institucionet tona sa i përket krizës ekonomike që e ka kapluar po thuajse tërë globin si pasojë e agresionit rus në Ukrainë.

“Ngritja e çmimeve si pasojë e kësaj krize normalisht që ka ndodhur papritur sepse krizat ndodhin por Qeveria duhet patjetër ta ketë një parashikueshmëri dhe duhet të bëhen disa përgatitje që në situata të tilla të kemi rezerva të mjaftueshme”, ka thënë Luzha në emisionin “RTK Prime”.

Sipas saj Maqedonia qysh në shkurt e ka ndjerë se po ka lëvizje tregtare dhe se ka mundësi të rritjes së çmimeve sidomos të atyre që janë pjesë e pakos bazike ushqimore dhe menjëherë ka marrë vendim përmes lirimit të akcizës.

“Ata reaguan përmes taksës 10% për tregtinë me shumicë dhe 5% me pakicë, pra kanë vendosur një normë maksimale të fitimit për gjërat më bazike si vaji, mielli, mishi, qumështi dhe sheqeri. Ata po ashtu kanë vënë një kufi edhe për ngritjen e çmimit të energjisë”, ka shtuar Luzha.

Ajo tha se edhe Qeveria jonë në krizën e energjisë vendosi një masë mbrojtëse përmes rritjes së çmimit të subvencionuar, por sipas saj në bazë të studimeve të kryera del se pjesa më e varfër e shoqërisë mbetet e pambrojtur.

“Kjo për shkak se ata që nuk janë në punë, ata që jetojnë me asistencë sociale i rëndon më shumë rritja e çmimeve, derisa ne si vend nuk mund të marrim menjëherë vendime ‘ad hock’ që t'i rrisim ndihmat sociale”, tha ajo.

Sipas Luzhës gjatë studimeve që janë bërë gjatë pandemisë, përkundër krizave ka pasur edhe masa pozitive por që gratë kanë përfituar më së paku nga këto masa, sepse ato kryesisht nuk janë në tregun e punës./P.Gashi/


MË SHUME NGA Lajme