Zejnullahu: Paniku te qytetarët po ndikon në rritjen e çmimit të miellit
BKT
Lajme

Zejnullahu: Paniku te qytetarët po ndikon në rritjen e çmimit të miellit

Kryetari i Mullisëve të Kosovës, Bashkim Zejnullahu, ka deklaruar se falë përpunuesve të brendshëm të grurit nuk ka pasur lëvizje të madhe të çmimit të miellit, aq sa ka pasur ngritje të çmimit të grurit në tregjet botërore.

“Parashikimet apo vlerësimet që i kemi bërë datojnë prej para dy apo tre javësh, kurse tregjet botërore po lëvizin me orë e jo me ditë. Megjithatë, nuk ka pasur lëvizje të çmimeve tek ne aq sa kemi pasur ngritje të çmimit të grurit në tregjet botërore. Kjo duke ju falënderuar përpunuesve të brendshëm por edhe fermerëve, sepse ata kanë një sasi të madhe të grurit të deponuar nëpër përpunes të miellit”, ka theksuar Zejnullahu në “RTK Prime”.

Ai ka thënë se falë kësaj Kosova në krahasim me vendet e regjionit është me e lira me çmim të shumicës sa i përket miellit.

“Edhe pse jemi vend importues i grurit, ne, kemi pasur sasi të mjaftueshme brenda vendit që ndoshta një fazë të shkurtër të kësaj periudhe të krizës do ta kalojmë pa lëvizur çmimet”, ka shtuar ai.

Ai më tej ka thënë se ka paksa panik tek qytetarët dhe kjo po vërehet me rritje të kërkesës në treg.

“Ne sot kishim një takim me kryeministrin Kurti, i cili u zhvillua në një frymë pozitive, duke pasur parasysh se përpunimi i grurit apo kërkesa në miell është rritur qysh para një muaji kur filloi panika në popullatë se do të ketë krizë. Kjo ka bërë që industria jonë të prodhojë miell për një muaj aq sa në kushte normale do të mjaftonte për tre muaj. Ai miell është diku. Qytetarët janë pak në panikë, mundohen të krijojnë stoqe nëpër shtëpitë e tyre dhe kjo ndikon në rritje të kërkesës në treg dhe pastaj  edhe në rritje të çmimit”, ka nënvizuar ai./P.Gashi/

 


MË SHUME NGA Lajme