Hadërgjonaj: Kosova në NATO garanci për siguri në rajon dhe më gjerë
Qeveria e Kosovës ka themeluar grupin punues ndërinstitucional për integrimin e Kosovës në NATO. Dje ky grup punues ka mbajtur mbledhjën e parë për anëtarësimin e vendit në Aleancën Veri-Atlantike.
Gjenerali në pension, Fadil Hadërgjonaj, ka thënë se anëtarësimi i Kosovës në NATO është garanci për siguri në rajon dhe më gjerë.
"Zhvillimet e reja e bëjnë të nevojshme anëtarësimin e Kosovës në NATO, të gjithë së bashku, pozitë e opozitë, shoqëria civile dhe të tjerët të angazhohemi në aspektin diplomatik dhe të shfrytëzojmë momentumin për Kosovën e ta anëtarësojmë në NATO", tha ai në një intervistë për RTK.
Sipas tij Kosova duhet të anëtarësohet edhe në iniciativat e tjera rajonale në sigurisë, siç është Karta e Adriatikut.
Ai ka folur dhe për procedurat që duhet ndjekur Kosova. "Nuk pres që procesi i anëtarësimit të shkojë shumë shpejt, këtë vit ose vitin tjetër, por me një diplomaci aktive do të mund të lëvizim tutje. Janë katër shtete të NATO-s që ende nuk e kanë njohur Kosovën: Spanja, Greqia, Sllovakia dhe Rumania", deklaroi ai.
(A.Bela/ RTKlive).























