Qytetarët ankohen për ngritje të çmimeve
BKT
Lajme

Qytetarët ankohen për ngritje të çmimeve

Valmira Halimi

Përveç ngritjes së çmimeve të derivateve, qytetarët po përballen edhe me ngritje të çmimeve të artikujve elementarë ushqimorë. Të mërkurën shumë qytetarë nëpër markete të ndryshme kishin blerë sasi të mëdha të vajit e miellit. Qytetarët ankohen për ngritje të çmimeve por edhe kërkojnë që shteti të gjejë një zgjidhje.

Me vaj, miell e artikuj të tjerë elementarë, kanë mbushur shportat, nga paniku i ngritjes së çmimeve.

 “Unë e di kam ble vaj ka qenë 1.85, sot e pashë ish bo 2.05. kështu që është pak e çuditshme. Të dielën s’ka pas miell, sot kishte miell. Kështu që e shoh që menjëherë janë ngrit çmimet edhe mendoj që njerëzit më shumë e kanë panik edhe ne që e kemi përjetua luftën një herë edhe e dimë qysh është”, thotë Leonora Kurti, konsumatore.

 “Unë sa vërejta prej ditëve të kaluara dje edhe pardje, çmimet janë të ngritura. Tash ku është arsyeja nuk e di veç ma merr mendja edhe qeveria, edhe qytetarët por edhe tregtarët duhet të jenë më të ndërgjegjshëm përndryshe nuk kemi me i pas punët mirë sidomos qytetarët me të ardhura të vogla”, thotë Aziz Hajredinaj, konsumator.

Ngritje të çmimeve ka edhe në Tregun e Gjelbër në Prishtinë.

 “Kryesisht pemët, perimet janë ngritur çmimet sidomos këto prodhimet vendore. Për shembull fasule, fasule i Pejës, fasule vendor është 4 euro 4.50. Patatet deri në 70 centë kilogrami. Kështu që prodhimet që vijnë prej jashtë për çudi e kanë njëfarë stabiliteti të çmimeve”, tha Shaip Dushi, konsumator.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në statistikat e fundit të publikuara, në muajin janar të këtij viti ka pasur rritje të tërësishme të çmimeve prej 7.1% në krahasim me periudhën e njëjtë kohore të vitit 2021. Sipas ASK-së, ngritje të çmimit më së shumti ka pasur në vajra dhe yndyra ushqimore, bukë e drithëra, qumësht, djathë dhe vezë./RTKlive

 


MË SHUME NGA Lajme