Përparojnë negociatat në arritjen e marrëveshjes mes Danimarkës dhe Kosovës
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, priti në takim homologun nga Mbretëria e Danimarkës, ministrin e Drejtësisë, Nick Hækkerup, me të cilin kanë diskutuar përparimin në negociatat për arritjen e marrëveshjes përfundimtare për transferimin e të dënuarve nga Danimarka në Kosovë.
Gjatë takimit palët konfirmuan se marrëveshja pritet të nënshkruhet dhe të ratifikohet në Kuvendin e Republikës së Kosovës gjatë këtij viti, thuhet në komunikatën e lëshuar nga zyra e Ministrisë së Drejtësisë.
Haxhiu shprehu mirënjohjen për bashkëpunimin korrekt të Mbretërisë së Danimarkës, duke i cilësuar si aleat tejet të vlefshëm, veçmas për gatishmërinë e tyre për të ndihmuar Republikën e Kosovës në fushën e drejtësisë penale.
Në këtë takim nga të dy anët është shprehur vullnet për të bashkëpunuar për interesat e qytetarëve të të dy palëve, në zhvillimin dhe avancimin edhe për interesa tjera vitale.
Partneriteti i fuqishëm në sektorin e drejtësisë, investimet e rëndësishme në fushën e energjisë, janë garanci për zgjerim të bashkëpunimit edhe në fushat tjera.
Kujtojmë se në dhjetor të viti që lamë pas ministrja e Drejtësisë në Kosovë, Albulena Haxhiu dhe homologu i saj danez, Nick Hakkerup kanë nënshkruar marrëveshjen për dhënie me qera të burgjeve.
Sipas kësaj marrëveshjeje 300 qeli burgu të Kosovës i jepen në shfrytëzim shtetit të Danimarkës. /Përgatiti Valbona Thaçi























