Ministrja Hajdari: Qeveria synon rritjen e numrit të inspektorëve
BKT
Lajme

Ministrja Hajdari: Qeveria synon rritjen e numrit të inspektorëve

Në Kosovë është duke vazhduar rritja e çmimeve të produkteve ushqimore, ku së fundmi një litër vaj po kushton rreth 4 euro, ngritje të çmimeve kanë pësuar edhe produktet tjera.

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari në një prononcim për medie tha se Qeveria ka synim të rrisë numrin e inspektorëve të tregut, sepse ka mungesë të tyre në shumë sektorë.

Hajdari tha se kanë shtyrë përpara ligjin për inspektime sepse do të bëhet një reformë e tërësishme e  ligjeve tjera që janë pjesë e reformave të ligjit të inspektimeve.

"Ne si qeveri e kemi synimin për rritjen e numrit të inspektorëve sepse ka mungesë të tyre në shumë sektorë edhepse për shkak të gjendjes pandemike e kemi shtuar numrin e inspektorëve në AVUK. Do të shikojmë mundësinë edhe për rritjen e inspektorëve të tregut. Ne kemi shtyrë para ligjin për inspektimet dhe do të bëjmë një reformë të tërësishme me shumë ligje tjera që janë pjesë e reformave të ligjit të inspektimeve dhe kjo do të sjellë një reformë të mirë në vendin tonë", ka theksuar Hajdari.

Ajo ka bërë të ditur se do të bëhet një rishikim i të gjitha ligjeve dhe akteve nënligjore në muajt në vijim.

"Do të mirë funksionojmë tregun me sa më shumë inspektime në të ardhmen pra me rritjen e numrit të inspektorëve, me ngritjen e platformave digjitale për inspektime që do të koordinohen përmes një inspektimi të përgjithshëm në zyrën e kryeministrit me një inspektor gjeneral dhe të gjitha inspektimet tjera në ministritë që do të koordinohen më këtë inspektor gjeneral", tha ministrja./P.Gashi/


MË SHUME NGA Lajme