Nuhiu e Munishi të kënaqur me barazimin në derbi
BKT
Sport

Nuhiu e Munishi të kënaqur me barazimin në derbi

Derbi i madh i futbollit kosovar ndërmjet Dritës dhe Gjilanit që u zhvillua sot është mbyllur pa fitues, me shifrat 3:3. E ky epilog i la të kënaqur trajnerët e të dyja skuadrave.

Trajneri i Gjilanit, Ismet Munishi ka thënë se barazimi ishte rezultat real i kësaj ndeshjeje, ndonëse skuadra e tij e gjeti e para golin.

“Kjo nuk ishte një ndeshje e zakonshme, por një derbi i madh dhe në të tilla ndeshje emocionet janë të pranishme. Të dyja ekipet bëmë gabime, kjo edhe për pasojë të gjendjes së fushës. Megjithatë, rezultati ishte real. Në periudhën kur prisnim të shënojmë edhe golin e dytë, ne pësuam një gol të lehtë. Nuk duhet të pranojmë gola të tillë sepse kjo mund të na kushtojnë me humbje”, ka thënë Munishi.

Ai theksoi se pas pësimit të golit u tërhoqën taktikisht mbrapa, duke u fokusuar në kundërsulme, por nuk arritën që ta ndëshkojnë kundërshtarin.

Në anën tjetër, trajneri i Dritës, Ardian Nuhiu, ka thënë se skuadra e tij në takimin e sotëm e ka dërrmuar kundërshtarin dhe kjo sipas tij ka qenë arsyeja e festës pas ndeshjes, ndonëse nuk arritën të fitojnë.

“Festuam për ndeshje të mirë. Kemi bërë ndeshje të madhe, e kemi dërrmuar kundërshtarin në çdo aspekt. Ata na ndëshkuan me një kundërsulm nga gabimi ynë, por djemtë treguan karakter. Jam i kënaqur me pjesën e parë, pasi angazhimi ka qenë i madh dhe dëshira ishte për të marrë fitore, por në ndeshje të tilla edhe barazimi është i mirë“, është shprehur Nuhiu.

Pas këtij barazimi Gjilani zë pozitën e dytë me 47 pikë, derisa Drita renditet e treta me 42 pikë./RTKlive/