Kurti takohet me kryediplomaten gjermane Baerbock
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti priti në takim Ministren e Jashtme të Republikës Federale të Gjermanisë, Annalena Baerbock.
Në takim morën pjesë ministrja e jashtme e vendit Donika Gërvalla dhe bashkë me kryediplomaten gjermane ishte i pranishëm, Manuel Sarrazin, Përfaqësues Special i Qeverisë Federale Gjermane për vendet e Ballkanit Perëndimor.
Bashkëpunimi dypalësh ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës Federale të Gjermanisë, i cili është duke u intensifikuar, ishin tema qendrore e këtij takimi, thuhet në komunikatën e Zyrës së Kryeministrit.
Kryeministri shprehu mirënjohjen ndaj Gjermanisë për ndihmën në kohë të vështira gjatë luftës, përkrahjen për shtetndërtimin, si dhe për rolin aktiv, mbështetës për Republikën e Kosovës në kuadër të perspektivës evropiane.
Në takim Kurti tha se duhet ndihmë nga Bashkimi Evropian dhe theksoi se fondet duhet të jenë të ndërlidhura me vlerat e BE-së, që janë të domosdoshme në mënyrë që të ketë paqe të qëndrueshme dhe stabilitet afatgjatë në Ballkanin Perëndimor.
Në anën tjetër, Ministrja Baerbock theksoi se Republika Federale e Gjermanisë dëshiron të zgjerojë edhe më tej marrëdhëniet e ngushta bilaterale me Republikën e Kosovës. Po ashtu shprehu mbështetje për liberalizimin e vizave.
Kryeministri tha se e ardhmja e Kosovës është në NATO dhe në Bashkimin Evropian dhe se roli i Gjermanisë në përshpejtimin e integrimit të Kosovës është qendror.
Kurti shtoi se Kosova është partner i qëndrueshëm për Gjermaninë dhe Bashkimin Evropian, duke përmendur pranimin e refugjatëve afganë, sanksionet kundër Rusisë, gatishmërinë për të pranuar 20 gazetarë ukrainas dhe gatishmërinë për strehim të deri 5000 refugjatëve.
Sipas komunikatës për media, në lidhje me fushën e energjisë, Kryeministri theksoi përkushtimin e Qeverisë për zbatimin e Agjendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor. Në takim u tha se synimet e Kosovës dhe Gjermanisë përputhen veçanërisht sa i përket nevojës për të gjetur mundësi për furnizim të pavarur dhe të qëndrueshëm me energji./S.K/RTKlive
.jpg)























