Ngritja e çmimeve vështirëson jetën e qytetarëve
BKT
Lajme

Ngritja e çmimeve vështirëson jetën e qytetarëve

Qytetarët këto ditë përveç ngritjes së çmimeve të derivateve, po përballen edhe me ngritje enorme të çmimeve të artikujve bazikë ushqimorë. Shumë qytetarë janë ankuar për ngritje të çmimeve por edhe kanë kërkuar që shteti të gjejë një zgjidhje lidhur me këtë situatë.

Lidhur me këtë temë profesori i ekonomisë, Mustafë Kadriaj, tha për RTK, se qeveria bëri hapin e duhur me aksionin e djeshme pasdite, me veprimin ndaj ngritjes së pakontrolluar dhe skandaloze të çmimeve, duke ndal kartelin e oligarkëve të Kosovës, të cilët po i shfrytëzojnë këto situata, në vend se të jenë për krah me qytetarët dhe konsumatorin.

“Këta oligark u sollën shumë keq ndaj qytetarit edhe pse nuk kishte as një indikacion të krizës në vend. Këta oligarkë u sollën keq me konsumatorin edhe në prag të vitit të kaluar, duke i ngritur çmimet. Ata sikur nuk u kënaqen me atë fryrje çmimesh e shfrytëzuan tani edhe këtë situata për ngritje të menjëhershëm të çmimeve, brenda ditës”, tha Kadriaj.

Ai thotë se tërë kjo ishte vetëm një spekulim ekonomik, por pas gjithë atyre thirrjeve dhe interesimit të opinionistëve e qytetarëve, qeveria reflektoi dje me veprimin e organeve të rendit dhe organeve relevante me efikasitet dhe ky veprim duhet të vazhdojë edhe në ditët në vazhdim.

Sipas Kadrijajt, qeveri do të ketë përkrahjen e qytetarëve, konsumatorëve për një veprim të tillë, sepse kështu është ndalur një e keqe ndaj një krizë artificiale.

“Barra e veprimit bie mbi qeverinë sepse nuk pritet etikë në biznes, institucionet duhet të jenë ato që krijojnë mekanizmin për të luftuar ndaj atyre që e dëmtojnë qytetarin, konsumatorin”, tha ai.

Si mundësi e ndalimit të praktikave të tilla, të rritjes së çmimeve, Kadriaj zgjidhjen e problemit e sheh në praktikën e vendeve të zhvilluara, aplikimin e gjobave, por mbase edhe në shtimin e inspektorëve dhe angazhimin e institucioneve relevante.

Për të monitoruar më mirë çmimet në Kosovë, Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari  ka paralajmëruar se Qeveria ka synim të rrisë numrin e inspektorëve të tregut, sepse ka mungesë të tyre në shumë sektorë. /N.Mekolli/


MË SHUME NGA Lajme