Abdixhiku kërkon që Danimarka ta mbështesë Kosovën në proceset integruese
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka pritur në takim ministrin e Drejtësisë së Mbretërisë së Danimarkës, Nick Hækkerup.
Sipas komunikatës së LDK-së, Abdixhiku ka kërkuar nga Hækkerup që Danimarka ta mbështesë Kosovën në proceset integruese, për liberalizimin e vizave, anëtarësim në NATO, BE dhe organizata tjera ndërkombëtare.
Në fund, palët u dakorduan që të thellojnë bashkëpunimin e që mbështetja ndaj Kosovës të vazhdojë edhe në të ardhmen
Njoftimi i plotë i LDK-së:
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka pritur në takim ministrin e Drejtësisë së Mbretërisë së Danimarkës, Z. Nick Hækkerup.
Kryetari Abdixhiku u njoftua në lidhje me marrëveshjen ndërkombëtare dypalëshe për dhënien në shfrytëzim të qelive të burgut të Gjilanit për të burgosurit nga Mbretëria e Danimarkës, e cila pritet të vijë në Kuvend.
Ndërsa kryetari Abdixhiku e falënderoi Ministrin Hækkerup për vizitën në LDK, e sikur edhe në takimet tjera me miq ndërkombëtar, kërkoi edhe prej Danimarkës ta mbështesë Kosovën në proceset e saj integruese, liberalizimin e vizave, anëtarësim në NATO, BE dhe organizata tjera ndërkombëtare.
Palët u dakorduan që të thellojnë bashkëpunimin e që mbështetja ndaj Kosovës të vazhdojë edhe në të ardhmen./Përgatiti: P.Gashi/























