Dogana: Vaji ushqimor sivjet u importua me 1.22 deri në 1.45 euro
BKT
Lajme

Dogana: Vaji ushqimor sivjet u importua me 1.22 deri në 1.45 euro

Derisa sa të enjten çmimi i vajit ushqimor arriti në vlerë rekorde prej 3.5 euro në disa dyqane, Dogana ka konfirmuar se në dy muajt e parë të vitit 2022 dhe në ditët e para të marsit, çmimi për një litër vaj të importuar ka qenë në mes të 1.22 euro dhe 1.45 euro.

Edhe më lirë ka qenë çmimi i vajit të importuar vitin e shkuar.

Siç ka njoftuar Dogana e Kosovës, gjatë vitit 2021 janë importuar 17.7 milionë litra vaj luledielli të përpunuar dhe 5 milionë vaj luledielli të papërpunuar. Vajrat ushqimore në vitin e shkuar janë importuar me çmim prej 1.11 euro në janar dhe 1.44 euro në dhjetor. Për import është paguar tetë për qind TVSH-ja. Vajrat e papërpunuar s’kanë paguar për shkak se konsiderohen lëndë e parë për prodhim.

Ndërkaq sivjet, janë importuar 3.3 milionë litra vaj luledielli i përpunuar dhe 1.4 milionë litra vaj i papërpunuar me çmim prej 1.22 euro deri në 1.45.

Tutje, Dogana e Kosovës thotë se në bashkëpunim me autoritetet kompetente do të vazhdojë të ushtroj kontrolle në kuadër të realizimit të detyrave dhe përgjegjësive të saj, me qëllimin e vetëm parandalimin e veprimtarive ilegale në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.

Dogana e Kosovës fton qytetarët të njoftojnë secilin rast të sjelljes jo etike të zyrtarëve doganor në numrin e telefonit 080050095.

Të enjten në mbrëmje pas inspektimeve janë mbyllur dy depo në dy supermarkete për shkak të mungesës së dokumentacioneve.

Përgatiti: Emine Hoti


MË SHUME NGA Lajme