Osmani: Forumi në Antali, mundësi diskutimi mbi rëndësinë e aleancave
BKT
Lajme

Osmani: Forumi në Antali, mundësi diskutimi mbi rëndësinë e aleancave

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në Forumin Dimplomatik të Antalisë ka zhvilluar takime të shumta me krerë të shteteve të ndryshme botërore.

Ajo përmes një postimi në Facebook ka thënë se edicioni i dytë i Forumit Diplomatik të Antalisë ishte një mundësi e shkëlqyer për të takuar dhe diskutuar me homologë e liderë nga mbarë bota për rëndësinë e aleancave dhe bashkërenditjes së qëndrimeve e veprimeve karshi zhvillimeve të fundit në Evropë dhe jo vetëm.

“Në kuadër të ADF2022 u takuam me presidentin e Sllovenisë, Borut Pahor, anëtarin e Presidencës së Bosnje e Hercegovinës, Sefik Dzaferoviq dhe kryeministrin e nominuar të Malit të Zi, Dritan Abazoviq, me të cilët diskutova për zhvillimet në rajonin tonë, rëndësinë e përshpejtimit të rrugëtimit drejt Bashkimit Evropian si dhe intensifikimin e bashkëpunimit rajonal për tejkalimin e sfidave dhe barrierave me të cilat përballemi”, ka shkruar Osmani duke falënderuar Erdoganin dhe Çavushoglun për mikpritjen e delegacionit kosovar.

Osmani njoftoi se ka biseduar edhe me sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg.

“Pata po ashtu rastin të shkëmbej vlerësime rreth zhvillimeve të fundit edhe me sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg”, theksoi ajo.

Osmani ka shkruar se në të gjitha takimet me shtetet njohëse dhe jo njohëse kanë treguar qëndrimin e Republikës së Kosovës në raport me zhvillimet rajonale dhe globale.

“ADF është shndërruar në platformë të përmasave globale për diskutime përmbajtësore e strategjike, e të cilat u realizuan në një moment tejet të rëndësishëm”,  ka shkruar tutje Osmani.


MË SHUME NGA Lajme