Kusari: Rusia tenton t’i largojë gazetarët nga Ukraina
Juristja e së drejtës së medias, Flutura Kusari ka thënë se agresioni rus në Ukrainë tashmë ka prekur edhe gazetarët dhe profesionistët e medieve.
Kusari thotë se Rusia po tenton t’i frikësojë dhe largojë gazetarët nga Ukraina.“Ka pasur disa gazetarë të lënduar, kameramanë dhe fotoreporterë. Sot ishte edhe rasti i vrasjes së gazetarit amerikan dhe plagosjes së një tjetri. Ky është tentim për t’i frikësuar dhe larguar ata nga Ukraina”, tha ajo.
Sipas saj, Rusia nuk është e interesuar që agresionin e vet në Ukrainë ta shohin të tjerët. “Kemi parë tash një dimension tjetër të luftës ku çfarëdo që është duke ndodhur atje transmetohet live ose pas disa minutave. Kjo nuk është në interes të Rusisë, prandaj edhe kemi këtë targetim të gazetarëve vendorë dhe ndërkombëtarë”, ka thënë Kusari në një intervistë në Lajmet Qendrore në RTK.
Duke folur për ndihmën që Kosova u ka ofruar 20 gazetarëve ukrainas, Kusari tha se është me rëndësi që ne t’i ndihmojmë të gjithë ata që kanë nevojë, e sidomos gazetarët.
“Ne e kemi përjetuar luftën dhe shtetet tjera na kanë ndihmuar.Tash është koha që edhe ne t’i ndihmojmë të tjerët”, thekson ajo.
Ndryshe, Brent Renaud – korrespodenti i New York Times është vrarë sot nga forcat ruse në Irpin afër Kievit, teksa raportohet se ka mbetur i plagosur edhe një gazetar tjetër.
Vrasjen e gazetarit amerikan e ka dënuar edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës./ E.Hoti/























