Mjekët rrëfejnë sfidat dyvjeçare të përballjes me Covid-19
Valmira Halimi, RTK
Janë bërë dy vjet, që kur në vendin tonë janë regjistruar rastet e para me Covid-19. Ishte ministri i atëhershëm i Shëndetësisë, Arben Vitia, ai i cili tregoi se Kosova regjistroi dy rastet e para me Covid-19.
Për këtë periudhë dyvjeçare mjekët rrëfejnë përjetimet e tyre dhe sfidat me të cilat u ballafaquan, përderisa pacientët me Covid-19 bëjnë thirrje për vaksinim
Dy vjet pas, situata është krejt tjetër.Mjekët rrëfejnë përjetimet e tyre dhe tregojnë se sfida më e madhe gjatë këtyre dy viteve ishte humbja e pacientëve.
“Ka pas familje që i kanë humbur 3-4 anëtarë të familjes për 1 ditë është shumë e vështirë është shumë e rëndë për neve me dalë edhe me ia kumtu lajmin një familjari ose një familje që s’mundëm me ja dalë, a je ka kupton”, tha Veronik Plakolli, anesteziolog.
“Fillimet kanë qenë më të vështira për arsye se ne nuk e dinim si sillet, virusi ishte i panjohur. Ishte një virus i ri dhe fillimet e para kanë qenë bukur sfiduese por me ngadalë ne jemi adaptuar dhe kështu që kemi gjet një formë të tillë që kemi pasur rezultate”, tha Arben Vishaj, drejtor i Klinkës Infektive.
Edhe tani në Mjekimin Intensiv të Klinikës Infektive ka pacientë, mirëpo numri i tyre është më i ulët por në gjendje të rëndë shëndetësore.
“Ju kisha lut le t’i marrin vaksinat. Me gjithë zemër. Se pa vaksinë nuk ka jetë”, thotë një pacient.
Që nga 13 marsi i vitit 2020, virusi në vendin tonë ka marrë jetën e 3 mijë e 126 personave, në mesin e tyre edhe 19 punëtorë shëndetësorë.























