Operacioni i IPK-së vazhdon, priten arrestime të tjera
Inspektorati Policor i Kosovës ka njoftuar se në koordinim me Prokurorinë Speciale, ka filluar sot në orët e hershme të mëngjesit një operacion të gjerë.
Inspektorati Policor i Kosovës me urdhër të Prokurorisë Speciale janë duke vazhduar operacionin që kanë filluar sot në orët e hershme të mëngjesit në Gjakovë dhe Prizren.
Sipas një njoftimi të IKP-së, operacionit të sotshëm i ka paraprirë një hetim rreth një vjeçar me dyshimin për përfshirje në aktivitete të kundërligjshme të një numri të zyrtarëve policorë lidhur me veprat penale “marrje e ryshfetit” dhe “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
“Ky operacion i IPK-së i koduar me emrin “Pika” është duke u përkrahur edhe nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë, Dogana e Kosovës dhe Policia e Kosovës.Në kuadër të këtij veprimeve hetimore dhe operative nga hetuesit e IPK-së pritet që fillimisht të shoqërohen e më pas edhe arrestohen dhjetëra zyrtarë policorë të dyshuar në këtë rast (kryesisht zyrtarë të policisë kufitare) si dhe disa zyrtarë doganor", thuhet në njoftimin e IPK-së.
IPK-ja pohon se do të vazhdojë të mbetet e përkushtuar në ndërmarrjen e veprimeve që kanë për qëllim fuqizimin e integritetit policor përderisa detaje të tjera shtesë lidhur me rrjedhën e këtij operacioni do të bëhen të ditura sot në orët e pasdites.
Sipas IPK-së, ky hetim është duke u zhvilluar në koordinim të plotë me Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK) duke përfshirë edhe masa të fshehta të hetimit dhe bashkëpunim edhe me agjenci të tjera./N.Mekolli/























