PDK kërkon që qytetarëve t`u mundësohet të marrin edhe një pjesë të Trustit
Pranvera GASHI
Mbledhja e Kryesisë së Kuvendit e paraparë të mbahet sot dështoi për shkak të mungesës së kuorumit.
Blerta Deliu nga Partia Demokratike e Kosovës në një konferencë për medie tha se mungesa e kuorumit bëri që shumë pika të rendit të ditës të mbesin të papërfunduara dhe si pasojë një numër i madh i ligjeve të mos kalojnë në Kuvend.
Deliu deklaroi se PDK-ja ka propozuar disa iniciativa për t'i ndihmuar qytetarët ta tejkalojnë më lehtë përballjen me rritjen e çmimeve, e ndër të cilat është edhe ajo që të mundësohet tërheqja e një pjese tjetër nga Trusti.
"Janë 35 pika të cilat janë të papërmbyllura dhe janë në përgjegjësi sidomos të mazhorancës që të jetë më efektive dhe më e vëmendshme sepse pikat e mbetura po e shtyjnë zhvillimin e agjedës së re legjislative. Kemi pasur disa iniciativa sot. Nesër do të ketë një seancë të thirrur nga opozita, më saktësisht nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me mbështetjen e deputetëve nënshkrues për rritjen e çmimeve", ka theksuar Deliu.
Ajo tha se sot u vendos që seanca e re për pikat e mbetura të mbahet ditën e mërkurë, teksa paralajmëroi disa iniciativa të PDK-së.
"Si përfaqësusese e Partisë Demokratike të Kosovës do të propozoj edhe disa iniciativa tona. Në fakt, duke parë gjendjen e rëndë me rritjen e çmimeve, situatën e rënduar të qytetarëve për përballjen me këto çmime që i kemi çdo ditë e më të larta në vend, ne kemi propozuar disa iniciativa. E para, është çështja e trustit, temë shumë e diskutuar kohëve të fundit dhe shumë e nevojshme që qytetarët e Kosovës. Pra, kërkojmë që qytetarëve tanë t'u mundësohet të marrin një pjesë të trustit për ta përballur gjendjen e rëndë aktuale. Si pikë e dytë është rregullimi i çmimeve të produkteve medicionale dhe si pikë e tretë çështja e krizës energjetike, ku ne si PDK kemi qenë shumë të zëshëm lidhur me parregullsitë e shumta të Qeverisë me menaxhimin e krizës energjetike", ka shtuar Deliu.
Këto pika të PDK-së nuk u paraqitën në Kryesinë e Kuvendit, pasi mbledhja dështoi si pasojë e mungesës së kuorumit.























