Haxhiu ka përshëndetur aksionin e sotëm të Inspektoratit Policor
BKT
Lajme

Haxhiu ka përshëndetur aksionin e sotëm të Inspektoratit Policor

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka përshëndetur aksionin e sotëm të Inspektoratit Policor dhe Prokurorisë Speciale që po zhvillohet në disa qytete të Kosovës.

Ministrja Haxhiu ka thënë se në të kaluarën, institucioneve të sigurisë dhe drejtësisë nuk u janë lënë duart e lira për veprim.

“Në shumë raste, ekzekutivi ka qenë pengesa kryesore në luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit. Sot kemi ende sfida, mirëpo kemi vullnetin e hekurt për ta bërë vendin e jetueshëm për qytetarët. Mbështetja e qeverisë tonë në raste të tilla është e parezervë”, shkruan Haxhiu në reagim.

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), me urdhër të Prokurorisë Speciale, po kryen një aksion kundër zyrtarëve policorë dhe doganorë që dyshohen për veprat penale “marrje e ryshfetit” dhe “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Inspektorati tha se deri më tani janë ndaluar dhjetëra zyrtarë policorë dhe doganorë, teksa ky aksion po vazhdon në Gjakovë dhe Prizren.

Ky operacion i IPK-së, sipas autoriteteve, është duke u përkrahur edhe nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë, Dogana e Kosovës dhe Policia e Kosovës./N.Mekolli/


MË SHUME NGA Lajme