E konfirmuar, u arrestuan 48 policë dhe dy doganierë
Kryeshefi ekzekutiv i Inspektoratit Policor të Kosovës, Kushtrim Hodaj thotë, se sot janë arrestuar 48 zyrtarë policor dhe dy zyrtarë doganor.
"Mund të konfirmoj se sot janë arrestuar 48 zyrtarë policor dhe 2 zyrtar doganor. Zyrtarët e arrestuar dyshohen për ryshfet dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare. Ky është një hetim disa mujor i autorizuar nga Prokuroria Speciale", deklaron ai.
Për detaje të tjera, ai ka njoftuar se në orën 15:00 do të ketë konferencë për media.
Në aksionin e zhvilluar nga Inspektorati Policor i Kosovës, janë arrestuar zyrtarët policorë të dy ndërrimeve në pikat kufitare “Qafë Prush” dhe “Qafë Morinë".
Në lidhje me këtë aksion, KosovaPress ka tentuar të marrë një deklaratë edhe nga Stacioni Policor në Gjakovë, por të njëjtit kanë thënë se për këtë është e autorizuar vetëm IPK.
Në këtë aksion janë arrestuar edhe dy oficerë doganor. Dogana e Kosovës ka mbeshtetur Inspektoratin Policor të Kosovës në operacionin e arrestimit të zyrtarëve të kufirit në Rajonet Gjakovë dhe Prizren, ku janë arrestuar edhe dy zyrtarë doganor për dyshimet se kanë kryer veprat penale ‘mitmarrje’ dhe ‘shpërdorimi i detyrës apo autoritetit zyrtar’. / KosovaPress























