Lumezi: 68 zyrtarë të dyshuar për ryshfet, 50 prej tyre të arrestuar
Pranvera GASHI
Kryeprokurori i shtetit, Aleksandër Lumezi, në një konferencë për media ka konfirmuar se gjatë ditës së sotme në aksionin “Pika” janë arrestuar 50 zyrtarë shtetëror në rajonin e Gjakovës dhe Prizrenit. Prej zyrtarëve të arrestuar 48 janë pjesë e Policisë së Kosovës, derisa dy të tjerë zyrtarë të shërbimit doganor. Ndërkohë, në arrati janë edhe 18 zyrtarë tjerë.
“Në muajin maj të vitit të kaluar e kemi filluar implementimin e këtij rasti, në bashkëpunim me Inpektoriatin e Policor të Kosovës. Me urdhër të kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale kemi angazhuar dy prokurorë në hetimin e kësaj çështje penale. Gjatë fazës së hetimeve kemi përdorur shumë mjete të hetimit dhe vëzhgimit të fshehtë me qëllim që të sigurojmë prova të mjaftueshme për krimin e dyshimitë të arsyeshëm se është kryer një vepër penale”, ka theksuar kryeprokurori Lumezi në konferencë për media, e ku ishin të pranishëm edhe kryeshefi ekzekutiv i Inspektoratit Policor të Kosovës, Kushtrim Hodaj dhe drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti.
Tutje Lumezi ka thënë se informacionet e para kanë qenë se janë duke u kryer vepra penale të marrjes së ryshfetit në pikat doganore, por duke pasur parasysh se nuk kanë pasur të drejtë t'i zbatojnë masat e fshehta për personat konkretë, i kanë përdorur masat e fshehta vetëm për vepra penale.
“Në moment të zbulimit të identiteteve të kryersve të veprave penale kemi nxjerrë aktvendim për fillim të hetimeve kundër 68 personave. Sot janë arrestuar 50 zyrtarë shtetërorë, 48 nga Policia e Kosovës dhe dy nga Shërbimi Doganor i Kosovës. Ndërsa, personat tjerë ndaj të cilëve është nxjerrë aktvendimi për fillimin e hetimeve janë në arrati, disa edhe nuk janë shtetas të Republikës së Kosovës”, ka thënë tutje Lumezi.
Ai ka thënë për këtë operacion janë duke bashkëpunuar edhe me autoritetet e Republikës së Shqipërisë për të siguruar informacione dhe prova që do të shërbejnë për procedurë penale në Kosovë.
Ndërkohë, kryeshefi Ekzekutiv i Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK), Kushtrim Hodaj, ka thënë se në mesin e të arrestuarve janë edhe dy komandantë të pikës kufitare, të cilët janë suspenduar.
“Zyrtarët e arrestuar nga Policia dhe Dogana ishin përfshirë në mbi 400 veprimtari kriminale të veprës penale të marrjes së ryshfetit dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare. Inspektorati ka realizuar operacionin ‘Pika’. Realizimi i operacionin është përkrahur nga AKI-ja dhe ka rezultuar i suksesshëm. Të arrestuarve u është caktuar masa e paraburgimit dhe janë suspenduar. Dyshimet janë që është zhvilluar korrupsion, përkatësisht marrje e ryshfetit në këmbim të lejimit të mallrave ilegale”, ka thënë Hodaj.
Në anën tjetër, drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, ka thënë se siguria në pikat kufitare është në nivelin maksimal. “Policia e ka prioritet forcimin e integritetit duke identifikuar rreziqe brenda organizatës. Misioni dhe prioriteti ynë është integriteti policor, duke luftuar dukuritë negative të individëve të caktuar. Policia do të vazhdojë angazhimin e detyrave. Pikërisht kjo çka ndodh sot jemi duke ndërmarrë veprime operacionale. Pjesë e operacioni ka qenë edhe policia e Kosovës. Gjithmonë ka pasur raste kur janë korruptuar individë, por ne vazhdimish bëjmë trajnime e inspektime kundër këtyre dukurive. Fakti që policia e ka fuqinë dhe vullnetin ta luftojë korrupsionin na bën të ndihemi më mirë sesa dje. Siguria në pikat kufitarë është në nivelin maksimal”, është shprehur Mehmeti.























