Kontrabanda me barna ende e pranishme në tregun farmaceutik në Kosovë
Arlinda Sejda
Në vazhdimësi institucionet përkatëse po bëjnë punë zinxhirore për ta luftuar dukurinë e kontrabandimit me barna, por ato vazhdojnë të jenë të pranishme në tregun farmaceutik.
Për shkak të kushteve të transportit dhe ruajtjes, mund të jenë të dëmshme për shëndetin e qytetarëve.
Barnat ilegale vazhdojnë të jenë të pranishme në tregun farmaceutik edhe pse institucionet përkatëse po bëjnë punë zinxhirore për të luftuar këtë dukuri.
Inspektorati farmaceutik përgjatë inspektimeve në periudhën dymujore ka hasur në shumë raste në barna të kontrabanduara.
" Në këtë periudhë dy mujore prej 150 inspektimeve 55 gjoba janë shqiptua prej të cilave 48 janë për produkte të kontrabanduara", ka thënë Remzije Thaqi - Drejtoreshë e Inspektoratit Farmaceutik.
Për prezencën e barnave të kontrabanduara dëshmojnë aksionet e doganës së Kosovës.
" Kontrollat që kemi pas gjatë dy muajve të fundit , kanë rezultuar me rreth 30 mijë euro barna të konfiskuara por fatkeqësisht kemi hasë edhe ne bunker të kamufluar në vende të ndryshme për fshehjen e këtyre barnave, kryesisht ne rajonin e Prishtinës", ka thënë Adriatik Stavileci - Zëdhënësi i doganës.
Barnat ilegale mund të jenë të dëmshme për shkak të disa faktorëve, konfirmojnë zyrtarë nga Oda e Farmacistëve.
”Në kohën e dimrit bëhet transport i cili nuk do të ketë temperaturë standarde dhe substanca aktive mund të dëmtohet. Realisht ajo më shumë mund t'i benë dëm pacientit sesa që të përdorët për të shëruar një indikacion”, ka thënë Arianit Jakupi - Oda e Farmacistëve.
Ndërkohë karshi numrit të madh të produkteve ilegale nuk mungojnë as kërkesat për licencim të produkteve.
" Aktualisht është rreth katër mijë produkte që janë të regjistruara në republikën e Kosovës, por ka trend të rritjes në bazë të kërkesave për licencim”, tha Ardian Rugova - Drejtor i autorizimit për marketing në AKPM.
Shkak i kontrabandimit me barna është edhe mungesa e legjislacionit i cili rregullon çmimet e barnave, prandaj tregu farmaceturik është i atakuar në vazhdimësi nga barnat ilegale. Vëmendje në blerjen e tyre duhet të kenë edhe vetë qytetarët.























