Haxhiu diskutoi për zbatimin e drejtësisë procedurale në Gjykatat Themelore
BKT
Lajme

Haxhiu diskutoi për zbatimin e drejtësisë procedurale në Gjykatat Themelore

Ministrja Haxhiu, në Tryezën e organizuar nga USAID, diskutoi për përmirësimin e zbatimit të drejtësisë procedurale në Gjykatat Themelore të Kosovës.

Duke pasur parasysh faktin që veçmas në vendet demokratike, qytetarët gëzojnë të drejtën për mbrojtje juridike, të barabartë dhe pa diskriminim, ministrja Haxhiu theksoi se një nga të drejtat themelore dhe procedurale të njeriut është edhe e drejta e gjykimit brenda kohës së arsyeshme dhe të garantuar me Konventën Evropiane për të Drejtat dhe Liritë themelore të Njeriut, si garanci për mbrojtjen e palëve nga vonesat dhe zvarritjet e procedurave gjyqësore, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Drejtësisë.

“Siç e dimë, një nga çështjet më kritike me të cilat përballet gjyqësori i Kosovës aktualisht janë lëndët e vjetra - të grumbulluara - të cilat ndikojnë që të mos respektohet parimi i gjykimit brenda kohës së arsyeshme. Në anën tjetër, raportet e Komisionit Evropian për Kosovë dhe raportet e organizatave të shoqërisë Civile, në mënyrë të vazhdueshme theksojnë se lëndët e grumbulluara sidomos në procedurë civile dhe ekzekutimi i aktgjykimeve civile mbetet sfidues”, theksoi Haxhiu.

Haxhiu, në kuadër të reformave në sistemin e Drejtësisë, i ka dhënë fokus të veçantë mbrojtjes së kësaj të drejte themelore procedurale të njeriut, me ç’rast ka themeluar grupin punues për hartimin e Koncept-Dokumentit i cili do të finalizohet brenda këtij viti dhe i cili e adreson realizimin e të drejtës së palëve në gjykim brenda kohës së arsyeshme, efektivitetin e mjeteve juridike, si dhe çështje të tjera me rëndësi me qëllim të zgjidhjes të problematikave që e pengojnë funksionimin e sundimit të ligjit në vend.

Ligji për Gjykatën Komerciale i cili do të hapë rrugë drejt themelimit të kësaj Gjykate, u vlerësua nga Ministrja si proces me ndikim tejet të madh në reformën në drejtësi, duke aluduar më tej edhe me themelimin e Gjykatës Administrative dhe asaj të Punës, të cilat do të kenë impakt në kushtet më të mira të funksionimit të sistemit gjyqësor.

Dihet se në mbështetje të nenit 65 (1) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës,është miratuar Ligji për Gjykatën Komerciale.

Qëllimi i këtij ligji është themelimi, organizimi dhe funksionimi i Gjykatës Komerciale në Republikën e Kosovës, brenda kornizës ekzistuese të sistemit gjyqësor të Republikës së Kosovës dhe që vepron në përputhje me parimet e tij.

Ky ligj zbatohet ndaj të gjithë personave juridikë dhe fizikë, vendorë dhe të huaj përfshirë shoqëritë tregtare të përcaktuara në Ligjin për Shoqëritë Tregtare në Republikën e Kosovës të cilët kanë konteste tregtare ndërmjet tyre. /V.Thaçi


MË SHUME NGA Lajme