Ambasadori i Norvegjisë: Do të ndihmojmë që Prishtina të bëhet moderne
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama dhe ambasadori i Norvegjisë në Kosovë Jens Erik Grondahl, nënshkruan sot një memorandum bashkëpunimi në fushën e krijimit të politikave, planifikimit dhe zhvillimit e bashkëpunimit me institucionet e tjera publike.
Kryetari Rama tha se përmes këtij memorandumi do të jetë më i lehtë transformimi dhe përfundimi i projekteve për kryeqytetin.
Rama: Ndihma është më se e nevojshme për transformimin e Prishtinës
“Ndihma është më se e nevojshme për transformimin e Prishtinës, në aspektet e ndihmës për resurse humane, për projekt-menaxher, për personel, të cilët janë të aftë të na ndihmojnë që projektet të cilat i kemi në program t’i transformojmë në realitet... Nëpërmjet këtij memorandumi të bashkëpunimit tash e kemi shumë më të lehtë që t’i hyjmë këtyre proceseve dhe të bëjmë transformimin” tha Rama.
Ndërsa, ambasadori Grondahl theksoi se nënshkrimi i këtij memorandumi do të mundësojë të jenë më specifikë për ta bërë Prishtinën një qytet më modern.
Grondahl: Qeveria norvegjeze është e përkushtuar në mbështetjen e Kosovës
“Qeveria norvegjeze është e përkushtuar në mbështetjen e Kosovës, dhe pas zgjedhjes së kryetarit të ri të Prishtinës, Përparim Rama, ne mbështesim vizionin e tij për qytetin dhe dëshirojmë të mbështesim punën dhe përpjekjet e tij për ta bërë Prishtinën një kryeqytet shumë të mirë për të gjithë qytetarët, por gjithashtu është e rëndësishme si një qytet i madh në rajon, të ndihmojmë kryetarin dhe administratën e tij për të arritur objektivat dhe qëllimet që ai ka për ndryshimin e qytetit dhe për ta bërë atë një qytet modern evropian me të gjitha cilësitë dhe ndërlidhjet e tij që do të prisnit nga një qytet modern në vitin 2022. Dhe me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje, të jemi shumë specifikë në fusha të caktuara dhe të ndihmojmë me këtë agjendë të përgjithshme evropiane për Prishtinën”, tha Grondahl.
Ndryshe, memorandumi i bashkëpunimit është në mbështetje të kapaciteteve dhe efikasitetit të Kabinetit të Kryetarit, për zbatimin e një agjende reformuese dhe përparimit të agjendës komunale në fushën e krijimit të politikave, planifikimit dhe zhvillimit e bashkëpunimit me institucionet tjera publike, të ndërlidhura për së afërmi me Komunën e Prishtinës.























