Miratohet në lexim të parë projektligji për financimin e partive politike
Kuvendi i Kosovës ka miratuar në lexim të parë projektligjin për financimin e subjekteve politike. 63 deputetë kanë votuar për miratimin e këtij projektligji, ndërkaq nuk pati asnjë votë kundër dhe asnjë abstenim.
Gjatë seancës së sotme të Kuvendit të Kosovës, është votuar për herë të dytë, për shkak të mungesës së deputetëve në sallë, projektligji për financimin e subjekteve politike.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës Glauk Konjufca tha se Kuvendi miratoi projektligjin për financimin e subjekteve politike.
“Atëherë 63 deputetë kanë votuar për këtë projektligj, të gjithë e kanë dhënë votën për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim. Konsideroj që kuvendi miratoi projektligjin për financimin e subjekteve politike”, ka thënë Konjufca.
Ndryshe, në seancën e sotme plenare, me 59 vota për, asnjë kundër dhe 10 abstenime është miratuar edhe projektligji për Agjencinë e Kosovës për Akreditim. / F.S























