Cel Kosova i gëzohet mosmiratimit të Projektkodit Civil
Organizata për Barazi dhe Liri “Cel Kosova”, i është gëzuar vendimit të Kuvendit rë Kosovës për të mos miratuar Projektkodin Civil në versionin aktual, për shkak se, sipas kësaj organizate, nuk garanton barazi në të drejtën në martesë.
Kjo organizatë, e cila merret me të drejtat e komunitetit LGBTI, nëpërmjet një postimi në faqen e saj në rrjetet sociale ka thënë se “alternativa e ofruar në formën e partneritetit civil krijon paqartësi dhe nuk ofron zgjidhje për garantimin e të drejtës për jetë familjare të komuniteteve LGBTIQ+”.
Në fakt, deputetët e Kuvendit të Kosovës, gjatë seancës sotme nuk e miratuan në parim Projektkodin Civil. Pika në të cilën deputetët kishin mospajtime ishte neni i cili do të mundësonte hartimin e një ligji të posaçëm, përmes të cilit do të lejohej regjistrimi i "bashkësive civile" ndërmjet personave me gjini të njëjtë.
E sipas “Cel Kosova” diskutimi i sotëm në Kuvend vuri në pah pikëpamjet dhe retorikën diskriminuese, homofobe dhe të nxitjes së urrejtjes. Kjo organizatë i bëri thirrje Qeverisë së Kosovës që në versionin e ri të Projektkodit Civil të lejojë martesën për të gjithë.
Ndryshe, në Projektkodin Civil, që nuk u miratua, thuhet se “martesa është bashkësi e regjistruar ligjërisht ndërmjet dy bashkëshortëve të sekseve të ndryshme, me anë të së cilës ata lirshëm vendosin që të jetojnë së bashku si burrë e grua”.
Por, në nenin e radhës thuhet se “bashkësitë e regjistruara civile ndërmjet personave me sekse të njëjta janë të lejuara” dhe se kushtet dhe procedura lidhur me këtë rregullohen me ligj të veçantë.
Në Kushtetutën e Kosovës thuhet “se në bazë të pëlqimit të lirë, çdokush gëzon të drejtën të martohet dhe të drejtën që të krijojë familje në pajtim me ligjin”.
Në Projektkodin Civil nuk definohet se çfarë është “bashkësi civile”. Por, megjithatë, aty shkruan se “të martuarit dhe partnerët në bashkësi civile gëzojnë të drejta dhe detyra reciproke në bazë të këtij Kodi”.























