Abbott i zhgënjyer që nuk u miratua Projektkodi Civil
Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Nicholas Abbott është shprehur shumë i zhgënjyer me mosmiratimin e Projektkodit Civil.
Abbott në një postim në Twitter ka shkruar se është me rëndësi që gjuha në Kodin Civil dhe në debat, t’i respektojë të drejtat e të gjithë njerëzve.
“Shumë i zhgënjyer që Kodi Civil nuk u miratua dje. Është e rëndësishme që gjuha, në Kod dhe në debat, të respektojë të drejtat e njeriut të të gjithë kosovarëve, përfshirë LGBTI+, në përputhje me Kushtetutën”, ka shkruar Abbott në Twitter.
Projektkodi Civil dështoi të miratohet të mërkurën në Kuvendin e Kosovës pasi 29 vota ishin kundër, 28 për dhe katër deputetë abstenuan.
Pika që deputetët kishin mospajtime gjatë seancës ishte neni i cili do të mundësonte hartimin e një ligji të posaçëm, përmes të cilit do të lejohej regjistrimi i "bashkësive civile" ndërmjet personave me gjini të njëjtë. /E.H/























