Kurti priti në takim lamtumirës shefen e Zyrës Ndërlidhëse të Greqisë
Greqia e ka vlerësuar rreshtimin e menjëhershëm të Kosovës me vendet e tjera demokratike, në mbështetje të pavarësisë, sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës.
Kështu ka thënë sot Shefja e Zyrës Ndërlidhëse Greke në Kosovë, Chryssoula Aliferi, gjatë takimit lamtumirës që ka pasur me kryeministrin Albin Kurti.
Zyra e Kryeministri ka njoftuar se gjatë takimit, u diskutua për raportet mes Kosovës dhe Greqisë dhe vullnetin e të dyja palëve për thellimin e tyre.
“Në takim u diskutua edhe për situatën në rajon dhe dialogun me Serbinë, nën hijen e agresionit ushtarak të Federatës Ruse në Ukrainë, i cili paraqet rrezik edhe për rajonin tonë, duke pasur parasysh ndikimin malinj të Federatës Ruse nëpërmjet partneritetit të tyre me Serbinë”, thuhet në komunikatë.
Në anën tjetër, po ashtu bëhet e ditur se Aliferi shprehu vlerësimin e palës greke për rreshtimin e menjëhershëm të Kosovës me vendet e tjera demokratike, në mbështetje të pavarësisë, sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës dhe për gatishmërinë për të ndihmuar refugjatët ukrainas./E.H/























