Gashi: Mund të vendoset një themel edhe më i fortë afatgjatë Kosovë-SHBA
BKT
Lajme

Gashi: Mund të vendoset një themel edhe më i fortë afatgjatë Kosovë-SHBA

Pranvera Gashi

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani i ka dërguar një letër presidentit amerikan, Joe Biden që ta ndihmojë Kosovën për anëtarësim në NATO me procedura të përshpejtuara.

Osmani poashtu ka theksuar se Kosova është vendi më pro amerikan dhe pro NATO-s në botë, megjithatë edhe sot e kësaj dite, Kosova mbetet e përjashtuar nga procesi, marrëveshjet dhe programet e zgjerimit të NATO-s, siç është Partneriteti për Paqe (Pfp) dhe ende nuk është bërë anëtare e plotë e Kartës së Adriatikut (AS).

Drilon Gashi, njohës i zhvillimeve në SHBA në një lidhje direkte në RTK tha se dërgimi i kësaj letre është i duhur, pasi siguria në Evropë është e brishtë për ato shtete që nuk janë pjesë e NATO-s dhe e ombrellës së sigurisë euro-atlantike.

"Dërgimi i letrës presidentit Biden ishte shumë me vend, që në një farë formë të vihet një qëllim i ri madhor në marrëdhëniet Kosovë-SHBA, që do të ishte anëtarësimi i Kosovës në NATO. Ne dimë se në NATO janë katër vende që nuk e njohin pavarësinë e shtetit tonë por që mund të bëhet shumë që të arrihet një partneritet, me gjithë faktin e mosnjohjes dhe më pas të të vihet një presion më i madh që Kosova të mund të arrijë planin e veprimit për anëtarësim dhe të jetë pjesë e kartës së Atlantikut dhe në këtë formë të binden edhe ato shtete që ta njohin pavarësinë e Kosovës. Kjo është një nismë shumë e mirë dhe besoj se po e kapë momentin e duhur kur po shohim se siguria në Evropë është e brishtë për ato shtete që nuk janë pjesë e NATO-s", tha Gashi.

Ai poashtu theksoi se  nëpërmjet kësaj kërkese Kosova mund të përafrohet drejt NATO-s por edhe mund të lidhë një partneritet shumë më afatgjatë me SHBA-në.

"Besoj që administrata amerikane do të veprojë shpejt. Është koha që Kosova me anë të kësaj kërkese të fillojë një bashkëpunim edhe më të afërt me presidencën Biden që të ndërtojë një kornizë të partneritetit strategjik. Pra, këtë SHBA e ka bërë me shumë miq të saj, aleat të afërt nëpër botë, se fundmi edhe me Greqinë. Në këtë rast Kosova edhe mund të përafrohet drejt NATO-s por edhe mund të lidhë një partneritet shumë më afatgjatë me SHBA-në. Kjo është jetike që të ndodhë brenda administratës Biden dhe mund të vendoset një themel edhe më i fortë i marrëdhenieve", tha njohësi i zhvillimeve në SHBA, Drilon Gashi.


MË SHUME NGA Lajme