RTK prezanton raportin vjetor të punës
Menaxhmenti i RTK-së ka prezantuar raportin e punës të vitit 2021, në një debat të hapur për publikun, siç e parasheh Ligji i RTK-së, (neni 38, paragrafët 3 dhe 4).
Ud. drejtori i përgjithshëm, Shkumbin Ahmetxhekaj, përmendi faktin se gjatë vitit 2021, ai nuk ka qenë në menaxhim të RTK-së dhe e ka të vështirë të flasë për punën e ish-menaxhmentit, por, bazuar në raportin e hartuar të punës, viti 2021, sipas tij, nuk ka qenë vit i lehtë për realizimin e objektivave, për shkak të situatës me pandeminë dhe masave kufizuese si në staf ashtu edhe në realizimin e programit.
Për programin dhe zhvillimet në RTK TV, kanalet 1, 3, dhe 4, për vitin 2021, para të pranishmëve foli drejtori i Televizionit, Festim Kabashi. Sipas tij, pandemia dhe masat kufizuese rreth saj kanë ndikuar edhe në punën e RTK-së.
“Pikërisht pandemia ka mbizotëruar në edicionet e lajmeve dhe programet e tjera informative gjatë vitit 2021, duke sjellë për shikuesit informacionet në kohë reale numrin e të infektuarve dhe gjendjen e tyre, duke shtjelluar këtë situatë me të ftuar ne studio, mjekë e ekspertë të fushës”. Po ashtu, drejtori Kabashi tha se viti 2021 ka qenë vit zgjedhjesh, të cilat RTK TV i ka mbuluar në mënyrë profesionale.
“Për mbulimin e zgjedhjeve është bërë punë shumë e madhe nga stafi i RTK-së. Programi elektoral gjatë dy palë zgjedhjeve ka qenë korrekt dhe i balancuar, duke respektuar standardet profesionale të përfaqësimit të barabartë, për çka RTK ka marrë vlerësim maksimal nga vëzhguesit vendorë dhe ata të Bashkimit Evropian. Gjatë vitit 2021, RTK TV ka mbuluar edhe aktivitetet sportive siç ishte Euro 2020, që për shkak të pandemisë u mbajt më 2021. Gjatë këtij kampionati ka pasur program gjithëditor. Po ashtu, RTK TV ka transmetuar dhe mbuluar edhe Lojërat Olimpike 2020, të cilat po ashtu janë mbajtur më 2021 për shkak të pandemisë. Programet e tjera, siç janë, Programi i Mëngjesit dhe Imazhi i Ditës janë zhvilluar normalisht duke mbuluar zhvillime ditore. Edhe Programi Kulturor Argëtues dhe Edukativ ka zhvilluar punën normalisht”, tha drejtori Kabashi para të pranishmëve. Ai përmendi gjithashtu edhe programin festiv të vitit të ri, i cili ka qenë i një niveli të lartë artistik dhe është vlerësuar shumë nga publiku.
Për kanalin RTK TV 2 në gjuhën serbe, para të pranishmëve foli drejtori i RTK TV 2, Zeljko Tvërdisiq, i cili tha se “gjatë vitit 2021, RTK 2, me ekipe operative në terren, me vetëm një studio funksionale, ka realizuar gjithsej 1694 emisione ose 338 më shumë se një vit më parë”.
Ai tha se në vitin 2021, redaksia e sportit e RTK 2, e cila ka vetëm 3 gazetarë, ka pasqyruar rregullisht ngjarjet sportive.
“RTK2 ka transmetuar të gjitha ndeshjet e futbollit të luajtura nga Kombëtarja e Kosovës. Gjithashtu, është realizuar transmetimi i drejtpërdrejtë i Lojërave Olimpike në Tokio dhe ҫdo ditë është transmetuar një emision i veçantë për Olimpiadën”, tha ai. Sipas Tvërdisiqit, gazetarët e RTK2 kanë marrë pjesë aktive në punëtoritë që i kanë organizuar përfaqësuesit e Organizatës Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar (JICA) në Prishtinë, për të forcuar kapacitetet profesionale.
Për programin gjatë vitit 2021 në Radio Kosova 1 dhe 2, foli ud.drejtoresha e Radios, Florije Durmishi. Ashtu sikurse parafolësit e njësive të tjera programore të RTK-së, ajo tha se edhe në Radio Kosova, viti 2021 ishte një vit sfidues për shkak të pandemisë. “Megjithatë janë mbuluar dy palë zgjedhje në mënyrën më të mirë. Për shkak të masave kufizues të pandemisë shumë intervista janë zhvilluar me telefon sepse në terren ka pasur kufizime. Programi i mëngjesit ka realizuar qindra intervista, qindra kronika, dhjetëra reportazhe, dhe shumë ngjarje të tjera”, tha Durmishi.
Sfida e radhës, sipas saj, është mungesa e buxhetit duke e vështirësuar kështu arritjen e objektivave të Radios. “Edhe në Radio Kosova 2, është realizuar program i larmishëm. Redaksia e komuniteteve pakicë transmeton program në katër gjuhë të komuniteteve. Teknologjia përballet me problem për shkak të pajisjeve të vjetruara. Radio ka problem me pika transmetuese, dhe programi i radios nuk dëgjohet në të gjithë Kosovën”, tha Durmishi. Në këtë debat publik, ud. drejtori i përgjithshëm i RTK-së, Ahmetxhekaj, premtoi se në vitin pasues do të ketë investime në pikat transmetuese të Radio Kosovës, në mënyrë që sinjali të arrijë tek të gjithë dëgjuesit e Radio Kosovës.
Një pikë e veçantë e prezantimit para publikut ishte edhe raporti financiar i RTK-së për vitin 2021 të cilin në pika të shkurtra e prezantoi Zyrtari Kryesor Financiar, Halil Bajramaj.
“Në Ligjin mbi ndarjet buxhetore të Buxhetit të Republikës se Kosovës për vitin 2021, RTK-së i janë ndarë 11,200,000€, në kategorinë subvencione dhe transfere. Të hyrat kryesore të RTK-së për vitin 2021, kanë qenë nga Buxheti i Kosovës e që përbëjnë 87% të të hyrave të përgjithshme të RTK-së. Të hyrat nga marketingu kanë gjeneruar 9% dhe të gjitha të hyrat tjera kanë qenë 4% e të hyrave të përgjithshme. Radiotelevizioni i Kosovës për vitin 2021, kishte paraparë të hyra në shumë prej 12,750,000€, ndërsa për këtë vit raportues RTK ka realizuar të hyra në shumë prej 12,895,187€, pra 145,187€ me shumë. Përqindja e realizimit të të hyrave është, të hyrat nga Buxheti i Kosovës 100%, të hyrat nga marketingu 86%, dhe të hyrat e tjera 232%”, tha Bajramaj.
Një raport të shkurtër para të pranishmëve e prezantoi edhe udhëheqësja e Administratës dhe Burimeve Njerëzore, Florije Bublaku.
Pjesëmarrja e të interesuarve në këtë debat me publikun të organizuar nga RTK, ishte tejet simbolike, ndonëse njoftimi ishte bërë me kohë ne kanalet televizive të RTK-se dhe në faqen e internetit rtklive.com, ashtu siç e parasheh Ligji i RTK-së, (neni 38, paragrafët 3 dhe 4). Nuk kishte pyetje të të pranishmëve lidhur me prezantimin e raportit të punës së RTK-së për vitin 2021.
Raporti i detajuar i punës së RTK-së për vitin 2021 publikohet në ueb-faqen e RTK-së rtklive.com/raportet në fund të muajit mars. Sipas ud.drejtorit të përgjithshëm të RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj, RTK do të jetë e hapur për çdo vërejtje, sygjerim dhe interesim nga ana e publikut edhe përmes formave tjera të komunikimit, apo adresave të tjera që janë të publikuara në ueb-faqen rtklive.com.























