Intervistohen pesë kandidatët për kryeprokuror të shtetit
BKT
Lajme

Intervistohen pesë kandidatët për kryeprokuror të shtetit

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka organizuar procesin e intervistimit të kandidatëve për kryeprokurorë të shtetit.

Sipas njoftimit të KPK-së, paneli vlerësues në përbërje: Jetish Maloku, kryesues i KPK-së dhe i këtij paneli, si dhe anëtarët e KPK-së, po ashtu anëtarë të këtij paneli, prokurorët Arjana Shajkovci, Bedrije Syla-Alshiqi, Armend Zenelaj dhe Jovo Radoviq, sot kanë intervistuar pesë kandidatët që kanë aplikuar dhe janë konfirmuar për pozitën e kryeprokurorit të shtetit.

“Secili nga kandidatët ka pasur në dispozicion 45-60 minuta kohë për t’u përgjigjur në pyetjet e pesë anëtarëve të komisionit. Procesi i intervistimit është monitoruar nga përfaqësues të shoqërisë civile dhe partnerët ndërkombëtarë, ndërsa të gjitha intervistat janë xhiruar nga Radiotelevizioni i Kosovës dhe nesër e shtunë, 19 mars 2022, të njëjtat do të transmetohen nga ky medium publik. Pas përfundimit të intervistës, secili nga anëtarët e Panelit vlerësues ka bërë në mënyrë të pavarur poentimin e kandidatëve, ndërsa pas kalkulimit të të gjithë poenëve, në prani edhe të monitoruesve të këtij procesi, kandidatët janë renditur si në vijim: Blerim Isufaj; Shqipdon Fazliu; Kujtim Munishi; Armend Hamiti; Lulzim Sulejmani. Në pajtim me rregulloren për emërimin e kryeprokurorit të shtetit dhe kryeprokurorëve të prokurorive të Republikës së Kosovës, paneli vlerësues, brenda pesë ditëve nga dita e përfundimit të procesit të vlerësimit do t’i njoftojë kandidatët me poentimin përfundimtar dhe poentimin individual të anonimizuar nga secili anëtar i Panelit vlerësues, bashkë me arsyetimin për secilën kategori poentuese”, thuhet në njoftim.


MË SHUME NGA Lajme