Zogaj: Gjendja e Komplekseve Memoriale nuk është e mirë
Drejtori i Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale, Bislim Zogaj, ka thënë se gjendja e komplekseve memoriale nuk është e mirë dhe se ka munguar mirëmbajtja, prandaj edhe një pjesë e tyre kanë filluar të dëmtohen.
Ndonëse Zogaj tha se objektet që ata i kanë në menaxhim qëndrojnë më mirë, por pohon se investime vështirë se mund të ketë për shkak të mungesës së buxhetit.
"Komplekset memoriale, lapidare të gjitha këto objektet e luftës që janë ndërtuar që nga viti 2000 e këndej, realisht edhe koha e ka bërë të vetën po edhe disa prej tyre janë ndërtuar me ndihma vullnetare dhe gjendja e tyre nuk është e mirë. Kështu që nuk është bërë ndonjë punë e kualitetit, por mbi të gjitha ka munguar edhe mirëmbajtja e tyre kështu që kanë filluar të dëmtohen. Fatkeqësisht buxheti kur kam ardhur unë ka qenë 5 milionë e 50 mijë euro vetëm për investime kapitale, me tendencë të rritjes në bazë të të hyrave buxhetore në nivel të Kosovës. Por, në vitin 2020 për shkak të pandemisë buxheti na është zvogëluar bukur shumë, rreth 70% e buxhetit na është marrë për shkak të atyre pakove të emergjencës, pastaj edhe në vitin 2021 kemi pasur zvogëlim të buxhetit po edhe për vitin 2022 nuk e kemi buxhetin e parashikuar më herët”, ka thënë Bislim Zogaj, Drejtori i Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale./Përgatiti: P.Gashi/























