Kurti: Presim formimin e qeverisë së re malazeze për demarkacionin
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në katër vjetorin e miratimit të marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi, ka deklaruar se shumë shpejt Mali i Zi do të ketë një Qeveri të re.
Kryeministri tha se me qeverinë e re të Malit të Zi do mund të bisedohet më lehtë për dallim nga ajo paraprake, që kishte përbrenda elemente proruse.
Kurti këto komente i bëri gjatë vizitës në SHFMU “Xhemail Mustafa”, ku edhe është pyetur për demarkacionin.
“Shpresojmë që së shpejti Mali Zi do të ketë Qeveri të re, me të cilën do të mund të bisedojmë, ta trajtojmë edhe këtë çështje për dallim nga Qeveria paraprake, e cila kishte përbrenda elemente pro ruse. Ne kemi bërë mbledhje të përbashkët të Qeverisë edhe me Maqedoninë e Veriut, me Shqipërinë, dhe shpresojmë të bëjmë edhe me Malin e Zi, pasi që të formohet atje Qeveria e re. Pra shpresojmë që do të ketë kushte të reja me Qeverinë e re, për ta trajtuar edhe këtë çështje, për të cilën natyrisht që fajin e përgjegjësinë e ka qeveria jonë e mëparshme, e cila padrejtësisht, gabimisht, ia dha Malit të Zi, 8200 hektarë të territorit të Kosovës”, tha kryeministri. /S.K.























