​Kurti dhe Haxhiu takojnë kryesuesin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës
BKT
Lajme

​Kurti dhe Haxhiu takojnë kryesuesin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës

Kryeministri Albin Kurti së bashku me ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, pritën sot në takim kryesuesin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj me të cilin biseduan për ngritjen e efikasitetit, llogaridhënien e sistemit gjyqësor, si dhe rritjen e dinamikës së procedimit të lëndëve në rastet civile.

Zogaj i njoftoi lidhur me strategjinë për trajtimin në afat sa më të shkurtër të rasteve, sidomos ato të natyrës civile.

Po ashtu, ai shtoi se me rritjen e numrit të gjyqtarëve në Gjykatën Supreme, asnjë lëndë nuk do të presë më shumë se tre muaj, ndërsa Gjykata e Apelit do t’i kryejë çdo muaj 1000 lëndë, prej prillit e tutje.

"Kryesuesi i KGJK-së falënderoi Qeverinë për miratimin e vendimit për shpronësime për interes publik të pronave të paluajtshme ish-shoqërore, të cilat janë të nevojshme për realizimin e projekteve të Këshillit Gjyqësor të Kosovës", thuhet në njoftimin për media.

U diskutua edhe për pezullimin e grevës së punonjësve të sistemit të drejtësisë, me ç'rast u fol për projektligjin për administratën e sistemit të drejtësisë dhe atë të pagave, si edhe për funksionalizimin e Gjykatës Komerciale.

Kryeministri Kurti falënderoi kryesuesin Zogaj për angazhimin e tij dhe ofroi mbështetjen e qeverisë me qëllim të adresimit të sfidave.


MË SHUME NGA Lajme