Lumezi: Po ndryshimeve të Ligjit për KPK-në, por jo siç propozon MD
Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi tha të hënën në emisionin “Prime”, në RTK se ndryshimet për Ligjin për Prokurorin e Shtetit dhe për Prokurorinë Speciale kanë qenë të parapara në rishikimin funksional të Sundimit të Ligjit, mirëpo Ministria e Drejtësisë iu ka dhënë prioritet ndryshimeve dhe plotësimit të Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës.
“ Zvogëlohet numri i anëtarëve të Këshillit nga trembëdhjetë sa i kemi sot, në shtatë. Ne kemi pasur një takim në vitin 2018 në Budvë të Malit të Zi, së bashku me partnerët ndërkombëtarë të cilët janë duke na ndihmuar në konsolidimin e pushtetit gjyqësor dhe ne vet jemi dakorduar që duhet të ketë ndryshime të Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës, por jo në këtë formë të cilën na e ka paraqitur Ministria e Drejtësisë. Ju keni parë që ka pasur edhe reagime dhe opinione nga Komisioni i Venecisë, se këto propozime të Ministrisë së Drejtësisë, po flas për draftin e parë, janë në kundërshtim me standardet ndërkombëtare”, ka theksuar Lumezi.
Ai tha se i kanë pasur përfaqësuesit e tyre edhe nga Zyra e Prokurorit të Shtetit, edhe nga Këshilli Prokurorial, edhe nga Prokuroria Speciale në grupin punues të Ministrisë së Drejtësisë.
“Atje kemi dhënë një kontribut të madh sa i përket ndryshimeve të Ligjit Prokurorial të Kosovës, mirëpo shumica e propozimeve të anëtarëve nga radhët e Prokurorisë nuk janë marrë parasysh edhe pse kemi pasur një përkrahje edhe nga partnerët ndërkombëtarë, por edhe nga një pjesë e shoqërisë civile”,ka shtuar Lumezi.
Kryeprokurori tha se janë duke e pritur edhe Draftin e dytë të Komisionit të Venecisë dhe mandej do të dalin me një qëndrim dhe mendim lidhur me këto ndryshime të Këshillit Prokurorial të Kosovës.
I pyetur se pse do të ishte keq të zvogëlohet numri i anëtarëve, Lumezi tha se nuk janë kundër zvogëlimit të numrit, por kundër përbërjes së Këshillit Prokurorial.
“Me qenë vetëm katër prokurorë. Ne kemi kërkuar që të jenë pesë prokurorë, anëtarë të Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe dy përfaqësues nga shoqëria civile, apo nga Fakulteti Juridik", ka nënvizuar Lumezi. /E.Hoti/























