Manuel Sarrazin: Ballkani prioritet i Qeverisë gjermane
Fadil GASHI
I dërguari i posaçëm i Qeverisë gjermane, Mauel Sarrazin, i tha Radio Kosovës në një intervistë ekskluzive se Qeveria gjermane ka prioritet procesin e integrimit të Ballkanit Perëndimor.
Ai theksoi se do të ofrojë mbështetje për dialogun Kosovë - Serbi, anëtarësimin e Kosovës në organizata dhe institucione ndërkombëtare si dhe për procesin e liberalizimit të vizave. Duke folur për tendencat ruse për destabilizimin e rajonit ballkanik, Sarrazin theksoi se Kremlini nuk ofron asgjë atraktive për qytetarët e Ballkanit Perëndimor dhe se është në dorën e BE-së, që të mos e lejojmë destabilizimin e tillë.
Radio Kosova: Zoti Sarrazin, Qeveria gjermane ju ka emëruar në detyrën e të Dërguarit të Posaçëm për Ballkanin Perëndimor. Konkretisht, cila është detyra juaj?
Manuel Sarrazin: Detyra ime në Ballkan është që ne, si Qeveria gjermane, por edhe Bashkimi Evropian, të bëjmë akoma më shumë, që të forcojmë dhe të mbështesim rrugën e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt Bashkimit Evropian. Ndërkaq, për mua është tejet e rëndësishme që të shtyjmë përpara agjendën e gjelbër, temat që lidhen me ambientin, por edhe çështjet akute si për shembull rasti me Bosnjë e Hercegovinën dhe të ardhmen e saj si dhe dialogun Kosovë – Serbi. Pra, të ofrojmë mbështetje dhe lehtësim të dialogut, apo siç thuhet në anglisht ”facility”.
Radio Kosova: Ka pasur një Proces të Berlinit për Ballkanin Perëndimor, i cili dorën në zemër, nuk është se ka treguar ndonjë sukses të madh. Si do të ecin proceset tutje në këtë drejtim?
Manuel Sarrazin: Unë konsideroj se Procesi i Berlinit ka qenë i suksesshëm. Për shembull, në kuadër të këtij procesi kemi themeluar Zyrën për Bashkëpunim Rajonal të Rinisë “RYCO” (Regional Youth Cooperation Office), por në kuadër të këtij procesi janë bërë edhe përparime të tjera për vendet e Ballkanit, që janë të dukshme. Sido që të jetë, ne duhet të bëjmë dy gjëra si vazhdimësi e Procesit të Berlinit: E para, me gjërat që kanë shkuar mirë, të vazhdojmë tutje, dhe e dyta, në ato pika ku ka shpresë se gjërat mund të përmirësohen, të bëhen më mirë. Gjithashtu, si Qeveri gjermane duhet të vazhdojmë angazhimet tona që kemi pasur gjatë procesit të Berlinit dhe mendoj se është e qartë se Procesi i Berlinit ka pasur një ndikim të rëndësishëm dhe pozitiv në rajon.
Radio Kosova: A do të thotë kjo se Ballkani Perëndimor vazhdon të mbetet një nga prioritete e Qeverisë Gjermane?
Manuel Sarrazin: Ballkani Perëndimor është prioritet i Qeverisë gjermane dhe këtë e ka theksuar edhe ministrja e Jashtme, Baerbock, në udhëtimin e saj që pati në vendet e Ballkanit Perëndimor, por kjo dëshmohet edhe me emërimin tim në detyrën e të Dërguarit të Posaçëm për Ballkanin Perëndimor, ku kam marr mbështetjen e gjithë kabinetit qeveritar. Kjo dëshmon se emërimi im nuk është çështje partiake, por tregon mbështetjen e gjithë Qeverisë gjermane për Ballkanin Perëndimor.
Radio Kosova: Kur është në pyetje çështja e proceseve integruese të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE, Franca ka folur për një “partneritet të privilegjuar” dhe për një proces shkallë - shkallë të integrimit. Si e shihni të ardhmen e proceseve integruese të shteteve të Ballkanit në Bashkimin Evropian?
Manuel Sarrazin: Unë besoj se rruga e vërtetë dhe e drejtë është ajo e anëtarësimit të barabartë dhe të plotë të gjashtë vendeve të Ballkanit perëndimor në Bashkimin Evropian. Unë dëshiroj që të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, të kenë një proces të plotë anëtarësimi të barabartë ashtu siç e kanë pasur të gjitha vendet anëtare të BE-së dhe të trajtohen dhe pranohen me respekt të plotë në Bashkimin Evropian dhe natyrisht t’i plotësojnë të gjitha kriteret për këtë, ashtu siç ka ndodhur me vendet e tjera, kur janë pranuar. Mendoj se nuk duhet bërë lëshime kur janë në pyetje kriteret, por në anën tjetër duhet të trajtim të barabartë dhe respekt ndaj vendeve të Ballkanit nga të gjitha vendet e tjera në BE.
Radio Kosova: Procesi i anëtarësimit ka qenë një instrument i rëndësishëm i BE-së për të pasur ndikimin e saj në rajon. Kjo nuk ndodhi me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, të cilat bashkë me Serbinë themeluan iniciativën “Ballkani i Hapur”. Kosova nuk dëshiron të jetë pjesë e kësaj iniciative. Si e vlerësoni ju “Open Balkan”?
Manuel Sarrazin: Në parim jam për forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe që ai të jetë i dukshëm. Por unë jam në mesin e atyre që mendojnë se duhet të ketë një gjithëpërfshirje të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor si të barabarta, prandaj unë jam në anën e atyre që thonë se në epiqendër duhet të jetë Procesi i Berlinit, bashkëpunimi rajonal dhe Marrëveshja e Sofjes. Unë konsideroj se në rastet kur bëhen propozime të mira, për sa i përket bashkëpunimit rajonal, ato propozime të shqyrtohen dhe të shikohet veprimi politik. Sidoqoftë, unë mendoj se çdo iniciativë e bashkëpunimit rajonal në fund do të jetë e suksesshme vetëm atëherë kur ia arrin të përfshijë të gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor në të.
Radio Kosova: Serbia ka kohë që është kandidat për anëtarësim, në anën tjetër ka refuzuar t’i vendosë sanksione Rusisë për shkak të sulmeve në Ukrainë. Si të kuptohet kjo zoti Sarrazin?
Manuel Saracin: Si të kuptohet kjo? Këtë pyetje duhet t’ua bëni politikanëve në Serbi, por për ne është plotësisht e qartë se ne presim nga Serbia vendosjen e sanksioneve dhe kjo parashikohet me Marrëveshjen e MSA-së, e cila është nënshkruar edhe nga Serbia, prandaj urojmë dhe dëshirojmë që Serbia të vendosë sanksionet kundër Rusisë.
Radio Kosova: Pas gjithë asaj çfarë bëri Rusia në Ukrainë, është shtuar frika se Rusia ka synim të destabilizojë edhe Ballkanin Perëndimor, konkretisht Bosnjë e Hercegovinë dhe Kosovën. Besoni se kjo mund të pritet nga Rusia?
Manuel Sarazin: Se politika ruse, pra Rusia, ka interesim të destabilizojë Ballkanin, këtë pa dyshim që e besoj, por në anën tjetër jam i bindur që ne akoma e kemi në dorë mundësinë, të mos e lejojmë një destabilizim të tillë. Nëse në tani, më në fund, tregohemi të vendosur për të çuar përpara procesin e anëtarësimit të vendeve të Ballkanit drejt BE-së dhe ta bëjmë të qartë vendosmërinë tonë për stabilitetin në rajon, atëherë, do të kemi forcim të stabilitetit dhe në këtë mënyrë do të mënjanojmë predispozitat ekzistuese për destabilizimin e rajonit. Kremlini nuk ofron asgjë, ama asgjë atraktive për qytetarët e Ballkanit Perëndimor.
Radio Kosova: Kosova dëshiron anëtarësimin me çdo kusht në NATO. Ndonëse e kemi KFOR-in këtu, kërkesa për anëtarësim vjen pas kërcënimit gati çdo ditë të Kosovës nga ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Aleksander Vulin. A ka shpresa për një anëtarësim të Kosovës në NATO?
Manuel Sarrazin: Qeveria gjermane e ka njohur Kosovën shtet të pavarur dhe sovran, prandaj natyrisht mendojmë që Kosova ka të drejtë të anëtarësohet në organizatat ndërkombëtare ku ende nuk është e pranuar. Tani sa realiste është kërkesa për anëtarësim në NATO kur dihet se janë pesë shtete anëtare të BE-së që ende nuk e kanë njohur Kosovën, e që janë gjithashtu anëtarë të NATO-s është një pikëpyetje! Sigurisht, situatën aktuale dhe kërcënimet ndaj Kosovës i kuptoj shumë mirë dhe ajo që mund të them është se duhet të punojmë më shumë për përmirësimin e pozitës së Kosovës në skenën ndërkombëtare dhe për anëtarësimin e më tejmë të saj në organizatat ndërkombëtare dhe këtë duhet ta koordinojmë së bashkë me partnerët tanë, në mënyrë që në fund të arrijmë suksese. Kjo nganjëherë varet edhe nga veprimi dhe momenti i duhur i veprimit.
Radio Kosova: Zoti Sarrazin, dialogu me Serbinë po shkon shumë ngadalë. Serbia po kërkon që për komunat me shumicë serbe, të krijohet një asociacion me kompetenca ekzekutive. A do të ishte kjo zgjidhja?
Manuel Sarrazin: Duket se Asociacioni po interpretohet dhe definohet varësisht nga interesat dhe përkatësia politike e grupeve të caktuara në Kosovë. Prandaj, unë në këtë intervistë nuk dëshiroj të hy në thellësi dhe të interpretoj definicionin e Asociacionit dhe marrëveshjes së arritur në Bruksel. E rëndësishme është që të dyja palët të fillojnë të bëjnë përpjekje për të arritur përparime konkrete në procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve dhe natyrisht tema e Asociacionit është njëra nga temat që duhet të diskutohen, por jo tema e vetme për të cilën duhet të flitet.
Radio Kosova: Ju pyeta, sepse Qeveria e Kosovës thotë se përmes themelimit të Asociacionit me kompetenca ekzekutive, Qeveria e Serbisë po dëshiron të krijojë në Kosovë një “Republikë Serpska” ashtu si në Bosnjë e Hercegovinë?
Manuel Sarrazin: Është plotësisht e qartë se në Kosovë nuk duam një situatë ku shteti i Kosovës të ishte jofunksional, por është gjithashtu plotësisht e qartë që në Bruksel pala kosovare ka nënshkruar një marrëveshje për themelimin e një Asociacioni për komunat serbe dhe tani të dyja palët duhet të gjejnë një zgjidhje, e e cila do të kënaqte të dyja palët, apo të gjejnë një zgjidhje kompromisi për këtë. Sepse, nuk është në kompetencën time dhe nuk është në kompetencën tonë, të definojmë kompetencat e një asociacioni të tillë.
Radio Kosova: Zoti Sarracin, pas suspendimit të Rusisë nga Këshilli i Evropës, janë krijuar dy të tretat për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë. A e mbështesni konkretisht anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe a është momenti tan për të shtruar kërkesën për anëtarësim?
Manuel Sarrazin: Aktualisht jemi duke kompletuar procesin e largimit të Rusisë nga Këshilli i Evropës. Konsideroj se ashtu siç thamë edhe më herët, parimisht Gjermania mbështet anëtarësimin e Kosovës në të gjitha organizatat ndërkombëtare. Çështja e veprimit dhe momenti se kur Kosova duhet të aplikojë, duhet të diskutohet jo vetëm me Gjermaninë por edhe me vendet e tjera anëtare të Këshillit të Evropës që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Pra, jemi të mendimit se Kosova duhet të mbështetet, por për kohen e veprimit dhe momentin e aplikimit për anëtarësim, duhet të bisedohet me partnerët që ka Kosova, përfshirë edhe partnerët brenda vendeve të BE-së, në mënyrë që edhe BE-ja të ketë një qëndrim të unifikuar për mbështetjen e Kosovë në Këshillin e Evropës.
Radio Kosova: Pyetja e fundit, zoti Sarrazin, lidhet me çështjen e liberalizimit të vizave. Kosova edhe më tej vazhdon të mbetet vendi i vetëm në Ballkan pa të drejtën e lëvizjes së lirë në BE?
Manuel Sarrazin: Ju e dini që Qeveria gjermane ka kohë që angazhohet për liberalizimin e vizave për Kosovën dhe kjo çështje është theksuar edhe në marrëveshjen e koalicionit qeveritar dhe kjo nuk është e rastësishme. Por ç’është e vërteta, kjo nuk varet vetëm prej nesh. Gjermania do të bëj gjithçka që kjo të ndodhë sa më shpejt që është e mundur, por këtë nuk mund ta them për shtetet e tjera të BE-së.
Radio Kosova: Thatë sa më shpejt që të jetë e mundur. A mund të presim atëherë që liberalizimi i vizave të ndodhë këtë vit?
Manuel Sarrazin: Për këtë duhet të thërrisni edhe në kryeqytete të tjera e t’i pyesni ata dhe jo vetëm Berlinin.























