Kurti: Integrimi në NATO më i lehtë se në BE
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në emisionin “RTK Prime” ka thënë se gjasat që Kosova të anëtarësohet në NATO janë më të mëdha pas sulmit të Rusisë në Ukrainë.
Kurti deklaroi se anëtarësimi në NATO është i mundshëm në këtë kohë dhe se ai është më i lehtë se sa anëtarësimi në Bashkimin Europian.
“Integrimi në NATO është më i lehtë se sa në BE. Kur kemi parasysh invazionin dhe agresionin në Ukrainë, aq më e qartë bëhet se ne e kemi urgjente që sa më parë të avancojmë drejt anëtarësimit në NATO. Besoj që ne do t’i përmbushim kriteret për anëtarësim sa më shpejt, por Programi i Partneritetit për Paqe është stacioni i parë drejt NATO-s”, tha ai në RTK.
I pyetur nëse Kosova ka bërë kërkesë zyrtare për anëtarësim në NATO, Kurti tha se sigurisht do t’i bëjnë të gjitha këto edhe formalisht, por se po përpiqen që përmbajtësisht të punojnë në lobim në mënyrë që të vijë dita kur edhe Kosova të hyjë në Kartën e Adriatikut.
Tutje Kurti tha se Kosova është storie suksesi dhe se pranimi në NATO do ta përforconte këtë rrëfim.
“Është e pakuptueshme që shteti më demokratik dhe më properëndimor në Ballkan të lihet kaq larg integrimeve euroatlantike. Janë duke e parë këtë gjë, por unë besoj që ka edhe një arsye shtesë pse shtetet anëtare të NATO-s dëshirojnë që Kosova të ecë më shpejt drejt integrimeve euroatlantike. Kjo është se njëmendë NATO është në Kosovë, njëmendë e mbron Kosovën, por edhe Kosova e mbron rrëfimin se intervenimi i NATO-s në Kosovë është sukses. Putin dëshiron të thotë se Iraku dhe Afganistani dështuan dhe se Kosova është sukses i përkohshëm. Duke u anëtarësuar ne e mbrojmë NATO-n duke treguar se jemi storie suksesi”, përfundoi Kurti.
Ndryshe autoritetet kosovare kanë bërë thirrje që Kosova të pranohet në NATO, duke e cilësuar këtë si një domosdoshmëri, sidomos pas sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës .























