Drejtori i AKK-së: Mosdeklarimi i pasurisë është shkelje e ligjit
Bazuar në Ligjin për Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Pasurisë të Zyrtarëve të Lartë Publikë, nga 1 marsi ka filluar procesi i deklarimit vjetor të pasurisë së zyrtarëve të lartë publikë.
Drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit, Yll Buleshkaj, për RTK-në ka thënë se deri më tash kanë pranuar më pak se 40% të formularëve. Ai ritheksoi se mosdeklarimi i pasurisë është shkelje e ligjit.
"Jemi duke u marrë çdo ditë me deklarimin e pasurisë. Ajo që mund të themi është se deri më tani kemi pranuar më pak se 40% të formularëve, që i bie diku 1900 formularë nga 4737 sa pritet të vijnë. Ajo që shohim tash është një intensifikim i dërgimit të formularëve tek ne. Jemi me kapacitete të plota duke i pranuar ato, qofshin duke u pranuar në formë fizike poashtu edhe përmes email-it, ashtu siç është e paraparë, do të thotë e skanuar", tha ai.
Sipas Buleshkajt pranimi i vetëm 40% të formularëve është shifër e ulët , marrë parasysh që kanë mbetur vetëm edhe tetë ditët e fundit për dorëzimin e formularëve./P.Gashi/























