VIDEO - PDK: Qeveria Kurti 2 nuk ka me çfarë të mburret
BKT
Lajme

VIDEO - PDK: Qeveria Kurti 2 nuk ka me çfarë të mburret

Kthesë drejt zhvillimit i ka cilësuar Albin Kurti 365 ditët e para në krye të ekzekutivit. Shefi i qeverisë tha se veç depolitizimit të bordeve e ndërmarrjeve publike, ka ndaluar marrëveshje të dëmshme e keqpërdorime. Por përfaqësuesit e partisë më të madhe opozitare, Partisë Demokratike të Kosovës,  Vlora Çitaku, nënkryetare dhe Blerand Stavileci, anëtari i Kryesisë së PDK-së, në emisionin “RTK Prime”, kanë mendim tjetër dhe kanë kritika të shumta për punën njëvjeçare të Qeverisë Kurti 2.

Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku ka thënë se gjatë një vit të Qeverisë Kurti 2 në masë të madhe është parë një abstenim në qeverisje, në investime, në projekte madhore. Sipas saj nuk ka asnjë projekt me të cilin mund të identifikohej viti i parë i kësaj qeverie.

“Sa për t’ju rikujtuar se shpeshherë po dëgjojmë se ishte pandemia, kriza energjetike etj. ,  kur ne e kemi shpallur pavarësinë pak muaj pasi kemi hyrë në qeverisje bota u patë goditur nga kriza globale, financiare dhe i tërë kontinenti ynë pati hyrë në recension dhe ne nuk kemi ndjetë duarkryq përballë asaj situate, përkundrazi i kemi përvjelë mëngët dhe brenda mandatit tonë kemi rritur buxhetin. Ne kur kemi hyrë në qeveri buxheti ka qenë gjashtëqind milionë euro, por brenda një kohe katërvjeçare e kemi dyfishuar atë dhe në fund kur e kemi dorëzuar atë  ka qenë  2.3 miliardë. Ka pasur investime të mëdha kapitale dhe rritje të pagave”, tha ajo.

 Çitaku tha se kryeministri Kurti dhe qeveria e tij premtimet i kanë pasur më të mëdha se pritjet.  “Ata kanë  premtuar shumë, kanë  premtuar që të  ndërtojnë mbi njëqind e gjashtëdhjetë çerdhe, asnjë çerdhe e ndërtuar, kanë premtuar uljen e çmimeve, përkundrazi kemi parë rritje të çmimeve, kanë  premtuar ndërtimin e objekteve banesore për qiftet e reja, nuk kemi parë asgjë nga ato projekte, pra më shumë  kemi parë abstenim, lojëra me fjalë, mirëpo jo ndonjë projekt konkret “, tha ajo.

Kurse Blerand Stavileci, anëtar i Kryesisë së PDK-së, tha se qytetarët kanë pas pritje të mëdha nga kjo qeveri, por mjerisht, Qeveria Kurti 2 nuk patur as çfarë të prezantojë si të arritur, përveç numrit të mbledhjeve.

“Ajo çfarë shohim në njëvjetorin e Qeverisë Kurti 2 është se nuk ka të arritura konkrete, madje ata as nuk patën çfarë të prezantojnë me rastin e njëvjetorit të Qeverisë. Përmendet numri i mbledhjeve si rezultat. Ka përmendur prodhimet, çka bërë asgjë, janë shtrenjtua çmimet, energjia, imputet”, tha ai.

Stavileci thotë se nuk shihet se ka rezultate. “A mos po jetojnë familjet kosovare sot më mirë se para një viti, jo, rezultatet madje janë shumë më të këqija se që mund të pritej”.

Sipas tij ajo çfarë ka ndodhur dhe çfarë po ndodhë para dyerve të ambasadave është zhgënjyese. “Vetëm në muajin dhjetor të vitit të kaluar dhe në janar të këtij viti në Ambasadën e gjermane në Prishtinë, janë bërë 105.000 aplikime për viza për ta lënë vendin”, tha ai.

Sot kryeministri ka folur edhe për emërimet në bordeve e ministri, por Stavileci thotë se edhe këtu ka shkelje, në ministri e borde janë emëruar familjarë të shumtë. “Vetëm në dy ministri - për tri javë,  janë ndarë 24 tender njëburimorë nga gjithsejtë 28 sa kanë qenë”, tha ai.

Për më shumë ndiqni videon në vazhdim:

 


MË SHUME NGA Lajme